Nisma kineze si një dimension i ri në sistemin ndërkombëtar
2023-03-20 15:29:42

Për vëzhguesit e kujdesshëm të Kinës dhe hapësirës ndërkombëtare, kjo javë shënoi një moment mjaft interesant me paraqitjen e një iniciative të re nga Presidenti  Xi Jinping, “Nismës së Qytetërimit Global”. Në fjalimin e tij gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të Partisë Komuniste Kineze me partitë politike globale, mbajtur  virtualisht në 15 mars, presidenti kinez u tregua mjaft i vendosur në këtë platformë të re.

Në qendër të “Nismës së Qytetërimit Global” është në fakt përpjekja për të përcaktuar të ardhmen e zhvillimit dhe të modernizmit politik. Brenda këtij kuadri, Presidenti Xi theksoi faktin se kopjimi i modelit zhvillimor të vendeve të ndryshme nuk është çelës suksesi, por më efektive është arritja e zhvillimit të pavarur, bazuar në kushtet specifike të secilit vend. Ky parim duket se është një mënyrë qasjeje alternative ndaj vendeve në zhvillim, për të krijuar një diferencë me atë që ai e ka konsideruar si imponim të modeleve perëndimore.

Prandaj, kjo nismë vlen të shqyrtohet dhe analizohet me kujdes. Mbi të gjitha nuk duhet parë si një element i shkëputur nga tërësia e platformave të ndryshme që ka paraqitur  Kina. Në fakt, vlen të rikujtohet se kjo është vetëm nisma e fundit në një sërë platformash që janë paraqitur zyrtarisht nga Kina, duke filluar më së paku që nga fjalimi i famshëm i Presidentit Xi Jinping në vitin 2015, ku ai bëri thirrjen për një “komunitet me fate të përbashkëta për njerëzimin”.

Sikurse e kanë analizuar ekspertë të ndryshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, ai fjalim ishte në fakt një përpjekje për të kanalizuar në një format për të përsosur sistemin ndërkombëtar aktual, i cili është prej vitesh tashmë në presion të madh. “Komuniteti me fate të përbashkëta për njerëzimin” u shpalos në këtë mënyrë nga pala kineze si një projekt që mund të nxesë zhvillimin e komunitetit global. Shtyllat mbi të cilën bazohej kjo iniciativë ishin partneritetet e barabarta, zhvillimi i përbashkët, një arkitekturë e re sigurie, e të tjera.

Në të njëjtën gjatësi vale, nisma madhore kineze “Një brez, një rrugë” synon të ndryshojë mënyrën globale të ndërveprimit dhe të ripozicionojë Kinën në qendër të zhvillimeve tregtare, financiare dhe infrastrukturore. Jo më kot, që në nisje të saj, zyrtarët kinezë kanë shpalosur në mënyrë të koordinuar një projekt që sipas tyre privilegjon koordinim më të madh ndërqeveritar, ul barrierat e tregtisë, rrit integrimin financiar dhe zhvillon lidhjet infrastrukturore.

Ndërsa dy nismat e përmendura më sipër janë projekte të cilat janë shpalosur përgjatë dekadës së fundit, një nismë më e rishtë është “Iniciativa e Sigurisë Globale”, e paraqitur vitin 2022 dhe shtjelluar më gjerë përgjatë muajve të fundit. Në themel të saj, kjo nismë është një ide alternative për të zgjidhur çështjen e sigurisë kolektive, mbi të gjitha pas krizës së thellë të shkaktuar nga konflikti mes Rusisë me Ukrainës. Shtyllat e tilla si siguria e përbashkët, sovraniteti dhe integriteti territorial, shqetësimet legjitime të të gjitha shteteve, e të tjera, janë disa prej parimeve të cilat Kina i paraqiti në kuadër të kësaj nisme.

Duket se motivimin kryesor Kina e pa te fakti se stabiliteti i arritur pas rënies së murit të Berlinit është shfaqur gjithmonë e më i brishtë pas zhvillimeve të rëndësishme në arenën botërore. Duke filluar nga Pranvera Arabe në fund të vitit 2010 dhe deri në momentin aktual të luftës tronditëse, kapaciteti për të ndikuar pozitivisht në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe të avancimit të prosperitetit, ka qenë deficitar. Në këtë sens, platformat multilaterale, janë shndërruar në sterile, përpara konsensusit të munguar të fuqive të mëdha, si dhe të polarizimit të madh.

VCG

VCG

Për t’u kthyer përsëri te fjalimi i Presidentit Xi në vitin 2015, ai vizion i paraqitur atëherë është komplementuar me nismat më të rishta që përmendëm, por edhe me formula të tjera të cilat kanë gjithashtu një rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe ekonomike të Kinës. Nëse “Një brez, një rrugë” dhe “Iniciativa për Zhvillimin Global” janë mbartëset e dimensionit ekonomik dhe tregtar të saj, “Iniciativa për Sigurinë Globale” është në dimensionin e sigurisë dhe të stabilitetit ndërshtetëror, “Nisma për Qytetërimin Global” ofron një dimension social dhe politik të këtij vizioni.

Mjaft analistë në perëndim e kanë akuzuar Kinën se nëpërmjet këtyre iniciativave, përgjatë dekadës së fundit, ka dashur të shfrytëzojë vakumin e krijuar në shkallë globale, për të rritur influencën dhe peshën e saj specifike në raport me zhvillimin ekonomik dhe me modelin e saj alternativ politiko-ekonomik. Por, parja e këtyre nismave si elemente të rastësishme dhe jo të ndërlidhura nënvlerëson largpamësinë strategjike të Kinës dhe të objektivave të saj afatgjata.

VCG

VCG

Nga Aleksandër Çipa