Foto nga VCG
Pak kohë më parë u zhvillua Panairi i 44-t Ndërkombëtar Turistik i Beogradit, ku Kina ishte vend i ftuar nderi. Kjo ishte pjesëmarrja e parë e Kinës në një veprimtari ndërkombëtare të promovimit turistik pas përmirësimit të masave parandaluese e kontrolluese të pandemisë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç theksoi:
“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’i ftuar shtetasit kinezë ta vizitojnë vendin tonë. Unë mund t’i garantoj ata se peizazhet dhe kultura e Serbisë do ta bëjnë udhëtimin e tyre të vlefshëm.”
Ambasadori i Kinës në Serbi Chen Bo u shpreh nga ana e tij:
“Një gjë e rëndësishme është që pjesëmarrja e Kinës në panair i ka treguar botës prirjen e rimëkëmbjes së fuqishme të sektorit kinez të turizmit, duke u shprehur edhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore dëshirën e fortë për rifillimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit turistik me to.”
Turizmi është pjesë e rëndësishme përbërëse e shkëmbimeve njerëzore ndërmjet Kinës e Serbisë dhe Kinës e Europës. Nga viti 2012 deri më 2019, numri i turistëve kinezë në Serbi u rrit rreth 30 herë. Njëkohësisht, në vitin 2019, rreth 15.4 milionë turistë kinezë vizituan Europën, duke zënë 14.8 % të numrit të përgjithshëm të turistëve kinezë jashtë vendit.
Në shkurt të këtij viti Shkolla e Mesme e Vajzave e Pallatit Presidencial të Kenias hapi Institutin "Konfuci", ku nxënëset që dashurojnë kulturën kineze, mund të mësojnë gjuhën kineze dhe të marrin pjesë në veprimtari lidhur me kulturën kineze, si wushu, kërcim, bukurshkrim etj.
Drejtoresha e kësaj shkolle Evelyne Nabukwest tha:
“Besoj se nxënëset do të përfitojnë, sepse kur ato shkojnë jashtë vendit për studime të mëtejshme, shumica prej tyre do të shkojnë në Kinë për disa vjet për t’u bërë mjeke ose inxhiniere. Ato nuk duhet të mundohen për mësimin e gjuhës, sepse e kanë filluar mësimin duke pasur një bazë të mirë. Besoj se ato kanë një epërsi të shtuar.”
Presidenti i nderit i Shoqatës ChinaRo Vicentiu Gheorghe u shpreh:
“Vetëm nëpërmjet shkëmbimeve kulturore, njerëzit nga vende të ndryshme, me nivele të ndryshme zhvillimi dhe sfonde të ndryshme kulturore e fetare do ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin, do të thellojnë besimin e ndërsjellë, duke bërë përpjekje të përbashkëta për të arritur objektivat e përbashkët të njerëzimit.”
Në konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit të propozuar nga Kina, krijimi i bashkësisë njerëzore është një pikë e rëndësishme. Vendet, të mëdha apo të vogla, të fuqishme apo të dobëta, të pasura apo të varfra, janë të gjitha anëtare të barabarta të bashkësisë ndërkombëtare. Shkëmbimet njerëzore mund të nxitin njohjen dhe mësimin e ndërsjellë.
Michael Borchmann, ish-drejtori i Departamentit të Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare të Landit të Hesenit të Gjermanisë, u shpreh:
“Shpresoj se ne do të mësojmë nga njëri-tjetri nëpërmjet shkëmbimeve paqësore e efektive në fushën kulturore, shkencore, ekonomike etj., dhe të mos vëmë në dyshim të ardhmen e njerëzimit me mosmarrëveshje, xhelozi e urrejtje.”
Studiuesi i Laboratorit të BRICS-it në institutin "EURISPES" të Romës Fabio Massimo Parenti tha:
“Krijimi i bashkësisë njerëzore po bëhet një detyrë urgjente për njerëzimin. Duhet të promovohet bashkekzistenca e barabartë mes njerëzve nëpërmjet dialogut, mirëkuptimit e hapjes, duke respektuar gjithmonë rrugën e ndryshme të zhvillimit kulturor.”
Marsela Musabelliu, drejtorja ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit, theksoi:
“Vizioni global e ndërkulturor mund të shtojë mirëkuptimin ndërmjet popujve. Ne do të kuptojmë më në fund se pavarësisht se ku jemi, nga jemi, ne jemi të afërt. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më shpejt njerëzimi do të shkojë drejt bashkimit.” (Fani)