Aspekti ekonomik i Iniciativës së Zhvillimit Global
2023-03-17 14:58:11

Iniciativa e Zhvillimit Global shpreh vullnetin e Kinës për t'u bashkuar me botën si partner në arritjen e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm për të gjithë popujt.

Iniciativa Globale e Zhvillimit, ose GDI në përputhje me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara përpiqet për partneritete të barabarta, të balancuara dhe gjithëpërfshirëse dhe synon zbutjen e varfërisë, sigurinë ushqimore, reagimin dhe vaksinat ndaj COVID-19, financimin e zhvillimit, ndryshimin e klimës dhe zhvillimin e gjelbër, industrializimin, ekonominë dixhitale dhe komunikimin.

Ndërsa koncepti “komuniteti i fateve të përbashkëta të njerëzimit” një vizion tashmë 10 vjeçar i propozuar nga Kina ka pesë drejtime: politike, sigurie, ekonomike, kulturore dhe ekologjike

Dr. Enriko Ceko në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës flet për këtë koncept në aspektin ekonomik.

Dr. Enriko Ceko në intervistë për CMG

Dr. Enriko Ceko në intervistë për CMG

CMG: Si konceptohet zhvillimi në “Komunitetit me fate të përbashkëta për njerëzimin” nga poltikëbërja kineze në terma ekonomikë?

Dr. Enriko Ceko: Jemi në një situatë ku Kombet e Bashkuara janë duke punuar në mënyrë intensive për të bërë të mundur që 17 Objektivat e Mijëvjeçarit deri në vitin 2035 të arrihen brenda afateve. Eshtë vënë re që një pjesë e vendeve të mëdha, të rëndësishme, të zhvilluara kanë shfaqur vështirësi në arritjen e Objektivave të Zhvillimi të Qëndrueshëm në vendet e tyre. Ndërkohë ka vende, të cilat kanë shënuar edhe suksese përtej objektivave dhe kanë arritur të menaxhojnë më mirë situatën, duke bërë të mundur që qytetarët të kenë një përmirësim të cilësisë së jetës në mënyrë të dukshme.

Në rastin konkret, Kina arriti që në vitin 2022 edhe pse ishte një periudhë që vinte direkt pas pandemisë, çrrënjosi me sukses varfërinë. Kjo do të thotë që të mos ketë njerëz, të cilët të jetojnë me 1 dollar në ditë. Po të marrim rastin e Shqipërisë me 2.8 milion banorë dhe sipas të dhënave të fundit edhe pse një vend i vogël që kemi burime të shumta natyrore dhe njerëzore, 25 për qind e popullsisë jeton me më pak se 1 dollar në ditë.

Të arrish këtë rezultat në një popullsi me 1,4 miliard banorë këtu duket eficenca dhe efektiviteti i politikës.

GDI (Foto CMG)

GDI (Foto CMG)

CMG: Javën e kaluar u zhvilluan “dy sesionet” në Pekin dhe   një nga afishimet më të rëndësishme ishte “Agjenda e 1.4 miliard banorëve”

Dr. Enriko Ceko: Kur flasim për këtë agjendë do të thoja se është një rezultat spektakolar për një ekonomi kaq të madhe e një vendi që është i treti në botë sa i përket sipërfaqes dhe i pari për numrin e popullsisë, në të cilin ekziston një bashkëjetesë midis punëtorëve, banorëve të zonave rurale, fshatarëve që merren me bujqësi,  komunitetit të biznesit dhe qeverisjes. Të paktën 10 vitet e fundit, që kur presidenti i Kinës hodhi idenë e “komunitetit të fateve të përbashkëta të njerëzimit” është bërë një përpjekje shumë e madhe për një qasje sa më të përshtatshme ndaj përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, si nga pushteti qendror ashtu dhe ai vendor. Të dyja këto qeverisje, ajo qendrore dhe vendore, kanë patur si objektiv  të veprimtarisë së tyre   punën me njerëzit dhe bërjen të mundur që objektivat e politikës të jenë objektiva qeverisëse, por që ndiqen nga njerëzit. Ky është elementi më i rëndësishëm i suksesit të Kinës në  lidhje me zhvillimin.

CMG: Cilat janë tendencat globale ekomomike për të ardhmen e afërt dhe çfarë roli ka Kina në të?

Dr. Enriko Ceko: Kur flasim për tendenca ekonomike duhet të kuptojmë që për momentin kemi një ndarje në vende të varfëra, vende në zhvillim dhe vende të zhvilluara. Ideja e Kinës për Iniciativën e Zhvillimit Global në kuadër të “komunitetit të fateve të përbashkëta të njerëzimit” synon që në një të ardhme afatmesme të mos kemi më vende të varfëra, por të kemi vende në zhvillim, vende të zhvilluara dhe vende shumë të zhvilluara.

Kjo kërkon edhe një mbështetje nga të gjithë lojtarët e sistemit global. Fakti që Kina vitet e fundit po luan një rol shumë të rëndësishëm në arenën rajonale dhe globale, jo vetëm si anëtare e OKB-së, por edhe duke ndërmarë iniciativa të suksesshme rajonale dhe globale në kuadër të investimeve të projekteve madhore siç është projekti “Një brez, një rrugë”, apo edhe disa projekte të tjera që lidhen me investimet në Evropë. Afrikë dhe në pjesën e Azisë Juglindore. Kjo tregon që kjo qasje për heqjen e varfërisë kryesisht nga disa vende të kontinentit afrikan dhe nga disa vende në Amerikën Latine, nuk synon thjesht një qasje politike. E rëndësishme është të krijohet një treg global në të cilin të gjithë lojtarët e këtij tregu të kenë mundësi të përfshihen në politikëbërje,  në biznesbërje dhe në kushtet e përmirësimit të jetës në aspektin social në të gjithë globin.

Përse? Nëse ka diferencë të madhe midis shteteve, kur flasim për aspektin ekonomik, atëhere nuk është e mundur të bësh biznes.

Iniciativa e Zhvillimit Global (Foto CMG)

Iniciativa e Zhvillimit Global (Foto CMG)

CMG: Pra bashkëpunimi në këtë kontekst do të kishte hendeqe të mëdha.

Dr. Enriko Ceko: Ndalemi tek ajo që sot në botë quhet “ndarja digjitale”. Disa ekonomi po ecin shumë shpejt me digjitalizimin e ekonomisë, me aplikimin e teknologjisë së aplikacioneve dhe me mbikqyrjen e ekonomisë  me pajisje digjitale. Ndërkohë disa ekonomi të tjera ende nuk kanë vendosur në buxhetin e tyre të shtetit para prë ekonominë digjitale.

CMG: Ne si evropianë e vemë re menjëherë këtë diferencë, kur kemi kontakt me vendet aziatike, ku thuajse të gjitha shërbimet janë digjitale.

Dr.Enriko Ceko: Kjo është shumë e drejtë.  Një nga këto elemente në të cilat Kina kërkon të ketë një qasje më globale dhe më të hapur është pikërisht ekonomia digjitale. Kjo bën të mundur që edhe vendet e varfëra të kenë mundësi të investojnë në ekonominë digjitale, në mënyrë që të integrohen më mirë në bërjen e biznesit. Nëse nuk ke ekonomi digjitale të zhvilluar nuk ke sistem pagesash, nuk ke sistem të qarkullimit të parasë. Nga ana tjetër, njohja që duhet të kenë   njerëzit për këto teknologji. Sepse mund të kesh teknologjinë, por nëse njerëzit nuk  njohin atë, nuk mund ta përdorin.

Nëse do të shohim një aspekt tjetër të ekonomisë rajonale dhe globale është fakti që  Kina po fokusohet në dy aspekte të rëndësishme. Së pari, hapja e ekonomisë kineze ndaj investimeve të huaja dhe për këtë presidenti kinez i është adresuar herë pas here situatës të paktën 5 vitet e fundit. Së dyti, nxitja e shtimit të investimeve kineze në vende të tjera paralelisht. Nëse do të shikojmë teorinë e investimeve të huaja, ajo pranon që një vend, pavarësisht nga madhësia, apo numri  i popullsisë të ketë mundësi edhe të presë investime të huaja, por dhe të investojë jashtë kryesisht nëpërmjet sektorit privat. Fakti që ka një vendim politik për të mbështetur komunitetin e biznesit dhe  për të sjellë investime të huaja është një qasje, e cila është në përputhje me Objektivat e Mijëvjeçarit të OKB-së.

CMG: Iniciativa për Zhvillim Global (GDI) si shihet kjo nismë në rang global dhe vecanërisht nga vendet më të varfëra?

Presidenti Xi (Foto CMG)

Presidenti Xi (Foto CMG)

Dr. Enriko Ceko: Është shumë interesante se që nga momenti që është prezantuar Iniciativa për Zhvillim Global  zyrtarisht është pranuar nga mbi 82 vende të botës dhe nga mbi 36 organizma ndërkombëtare financiare, zhvillimore, edukative. Madje dhe vetë Kombet e Bashkuara janë shprehur që GDI është një mbështetje paralele për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.

Le të marrim si shembull tërmetin në Siri dhe Turqi. Brenda dy-tre ditëve të para komuniteti ndërkombëtar u përpoq të mbështeste popullin turk dhe sirian. Kur flasim  për “komunitet me fate të përbashkëta të njerëzimit” ky është rasti. Në periudhën e Covid 19 për shembull Kina ofroi vaksina për një pjesë të mirë të vendeve që nuk kishin mundësi financiare të blinin vaksinat e shtrenjta perëndimore. Këto raste tregojnë se si funksionon ky koncept.

Kina ishte ndër pesë vendet e para që ofroi ndihmë për Turqinë dhe Sirinë, qoftë financiare apo ndihmë materiale. Për momentin janë gati 58 vende që kanë ofruar ndihmë për rastin e tërmetit. Të tilla situata është e mundur që të shfaqen edhe në të ardhmen ndaj duhet të shohim mundësinë për situata pozitive.

Ka territore sot në botë që janë të pajisura nga natyra me burime natyrore, por janë zona në të cilat ose keqmenaxhohen, ose nuk shfrytëzohen. Qasja e Kinës për t’i dhënë mundësinë komunitetit të biznesit kinez për të investuar në këto vende edhe në bashkëpunim me investitorë të tjerë është mjaft interesante, sepse në këto vende ka mundësi të shtohet punësimi. Kjo bën të mundur që këto vende të zhvillohen, të dalin nga varfëria, të përmirësohet cilësia e tyre e jetës dhe të kenë mundësinë e bashkëpunimit me vende të tjera për të ecur paralel.

E rëndësishme është se me çfarë shpejtësie do të ecet në këtë drejtim, nëse do të ketë disa shpejtësi, apo do të ketë një klasifikim të vendeve në një kuadër global të zhvillimit. Mendoj që Kina është pro idesë që të ecet me një shpejtësi që të mos ketë ndarje dhe OKB me sa duket e kanë pranuar këtë qasje.