Studimi: Ndryshimet klimaterike të shkaktuara nga njeriu përkeqësojnë ekstremet e njëkohshme të klimës globale
2023-03-15 16:32:01

Ndryshime klimatike (Foto Xinhua)

Ndryshime klimatike (Foto Xinhua)

Një studim i botuar në “Science Advances” ka treguar se shfaqja e ekstremeve të njëkohshme klimaterike po rritet globalisht për shkak të ndryshimeve klimaterike të shkaktuara nga njeriu dhe kjo prirje parashikohet të përkeqësohet në të ardhmen, përcjell “Xinhua”.  

Ekipi hulumtues, i përbërë nga studiues nga universitetet kineze dhe australiane, përdori vëzhgime mujore të klimës nga e gjithë bota, duke përfshirë të dhënat e temperaturës dhe reshjeve, si dhe një përmbledhje prej 11 modelesh të qarkullimit të përgjithshëm.  

Bofu Yu, bashkautor i punimit dhe profesor nga Universiteti Griffith i Australisë, tha se ndërsa rreziqet e ardhshme të ekstremeve klimaterike ndryshonin gjeografikisht, ato po ndërlidhen më shumë përmes ngrohjes së mëtejshme, rritjes së ndryshueshmërisë së klimës dhe varësisë hapësinore të ekstremeve klimatike.  

Sipas dokumentit kërkimor, klimat rajonale anembanë globit janë të ndërlidhura përmes telekonjeksioneve dhe nxitësit globalë të ndryshueshmërisë atmosferike, si “El Nino”, mund të sjellin ekstreme klimaterike në të njëjtën kohë në rajone të largëta. Ndikimi antropogjen i klimës ka rritur gjithashtu në masë të madhe forcën e bashkëndodhjes hapësinore të ekstremeve të temperaturës mbi 56 për qind të rasteve të rajonit global, vuri në dukje dokumenti kërkimor.  

“Ekstremet e njëkohshme klimaterike në rritje globale paraqesin rreziqe të mëdha për shoqërinë dhe ekosistemet tona. Në veçanti, rritjet më të forta në të kaluarën dhe ekstremet e parashikuara të temperaturës në të ardhmen ndodhin në rajonet tropikale, ku shumë vende në zhvillim janë prekur më së shumti nga ndryshimet klimaterike dhe janë ndoshta më pak të afta për të përballuar pasojat e rritjes së ardhshme të ekstremeve të temperaturës”,- tha Yu.  

Studimi theksoi gjithashtu se ekstremet e njëkohshme të temperaturës mund të dobësojnë kapacitetin e ekosistemeve tropikale për të vepruar si mbledhës të rëndësishëm të karbonit dhe për të përforcuar ndryshimet klimaterike globale.  

Për më tepër, rritja e ndryshueshmërisë së reshjeve dhe ekstremeve të njëkohshme të reshjeve, veçanërisht në rajonet tropikale dhe veriore me gjerësi të lartë gjeografike, mund të shkaktojnë më shumë thatësira dhe përmbytje të njëkohshme, duke e bërë më të vështirë përshtatjen ndaj ndryshimeve të ardhshme klimaterike.  

Yu vuri në dukje se pavarësisht disa objektivave zbutëse, ekstremet klimaterike ende parashikohen të rriten ndjeshëm në krahasim me kushtet historike. Sipas tij, nevojiten veprime më urgjente ndërkombëtare, për të reduktuar emetimet e gazeve serrë dhe për të kufizuar ndikimet e ndryshimeve klimaterike. (Elona)