OKB-ja synon gjurmimin në kohë reale të gazeve serrë
2023-03-10 11:15:21

Agjencia e Kombeve të Bashkuara njoftoi këtë javë se ka ndërmarrë një hap drejt plotësimit të një boshllëku kyç në luftën kundër ndryshimeve klimatike, me plane për gjurmimin e standardizuar dhe në kohë reale të gazeve globale serrë. Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së (OBM) ka dalë me një Infrastrukturë të re Globale të Monitorimit të Gazit Serrë, që synon të ofrojë mënyra më të mira për matjen e ndotjes nga ngrohja e planetit, në mënyrë që të ndihmojë në zgjedhjen e politikave.

Platforma e re e  Organizatës Botërore Meteorologjike do të integrojë sisteme vëzhgimi të bazuara në hapësirë dhe në sipërfaqe dhe do të kërkojë të sqarojë pasiguritë se ku përfundojnë emetimet e gazeve serrë. Ajo duhet të rezultojë në të dhëna shumë më të shpejta dhe më të qarta se kurrë më parë se si po ndryshon atmosfera e planetit.

foto nga

Smogu u ngrit nga centrali Butachimie në Chalempefoto të Francës Lindore, më 8 nëntor 2022/  foto nga VCG

"Qëllimi është të kemi një aftësi plotësisht operacionale në pesë vjet",- tha Lars Peter Riishojgaard, zëvendësdrejtor i departamentit të infrastrukturës së Organizatës Botërore Meteorologjike.

“Sistemi do të jetë në gjendje të tregojë në një hartë se ku hyn gazi serrë dhe ku del. Ne mund ta bëjmë këtë në kohë reale",- tha ai në një konferencë për shtyp.

Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 për ndryshimet klimatike bëri që vendet të binin dakord për të kufizuar ngrohjen globale nën dy gradë Celsius mbi nivelet e matura midis viteve 1850 dhe 1900 dhe 1.5 gradë Celsius nëse është e mundur.Organizata Botërore Meteorologjike tha se duhet të kishte baza më të forta shkencore të veprimeve për zbutjen e ndryshimeve klimatike të ndërmarra sipas marrëveshjes.

"Ka ende paqartësi, veçanërisht në lidhje me rolin në ciklin e karbonit të oqeanit, biosferës së tokës dhe zonave të ngrira gjatë gjithë vitit”, - tha shefi i Organizatës Botërore Meteorologjike, Petteri Taalas.

"Kjo do të sigurojë informacion jetik dhe mbështetje për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit".

Riishojgaard përmendi dy probleme që lidhen me marrëveshjet e Parisit.

Së pari, proceset natyrore pompojnë dhe nxjerrin shumë më tepër gaz serrë sesa njerëzit dhe nuk ka mjaftueshëm të dhëna se si funksionon kjo.  Së dyti, monitorimi i sasisë së emetimeve të riabsorbuara.

foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mbajti fjalim në Konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi Klimën COP27  në Sharm El Sheikh të Egjiptit, më 9 nëntor, 2022/ foto nga VCG

Ai tha se më së shumti llogaritjet bëhen duke shtuar emetimet e njohura, por të dhënat për këtë ishin të paqarta në vendet në zhvillim, ndërsa emetimet natyrore nuk ishin llogaritur siç duhet.

Riishojgaard tha se sistemi i ri duhej të shikonte në përgjithësi gazet serrë atmosferike dhe më pas të përpiqej të përcaktonte se nga vinin dhe përfundonin. Kjo mund të bëhet fillimisht në një qelizë rrjetë prej 100 kilometrash katrorë, duke përdorur të njëjtin model dhe teknologji si për parashikimin e motit.

Mund të bëhet në një rrjet prej një kilometër katror, por aktualisht do të ishte tepër e kushtueshme, tha ai. Megjithatë, mund të jetë e mundur brenda një dekade.

Tre gazet serrë kryesore janë dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit. Prej tyre, dioksidi i karbonit  përbën rreth 66 për qind të efektit të ngrohjes në klimë. "Përqendrimet e gazit serrë në atmosferë janë në nivele të larta rekord”, - tha Taalas.

Organizata Botërore Meteorologjike mbajti një simpozium në fund të janarit që mblodhi së bashku ekspertë nga një gamë e gjerë fushash për të filluar montimin e pjesëve në ndërtimin e një sistemi të ri monitorimi.

Këshilli ekzekutiv i organizatës, i përbërë nga më shumë se 30 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë dhe Indinë, miratoi projektin në takimin e tij javën e kaluar.

Megjithatë do të nevojitet miratimi i mëtejshëm nga kongresi i 193 vendeve anëtare, organi më i lartë vendimmarrës i Organizatës Botërore Meteorologjike, në maj.