Fuqia blerëse e Italisë është përgjysmuar që nga fillimi i krizës Rusi-Ukrainë
2023-03-01 11:09:57

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fuqia blerëse në Itali ra me 54 për qind gjatë vitit të kaluar, pasi inflacioni i lartë, ulja e tregtisë dhe rritja më e ngadaltë ekonomike, e shkaktuar pjesërisht nga kriza Rusi-Ukrainë, ndikuan në jetën e përditshme të italianëve, sipas raportit “Changing World Observatory” të publikuar nga organizata “Nomisma”, citon “Xinhua”.  

Raporti nuk mbulonte të dhëna nga asnjë vend tjetër europian.  

Fuqia blerëse është matja e pasurisë së një vendi në lidhje me atë që një njësi monedhe mund të blejë në atë vend. Një ulje në fuqinë blerëse do të thotë që banorët duhet të paguajnë më shumë për të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh.  

Të dhënat tregojnë se si konflikti Rusi-Ukrainë i ka dhënë një goditje të re ekonomisë italiane, e cila po rikuperohej nga ngadalësimi ekonomik i shkaktuar nga pandemia Covid-19. Çmimet e energjisë janë rritur, duke ngadalësuar prodhimin industrial dhe bujqësor, duke ndikuar në tregti dhe duke rezultuar në një rritje më të ngadaltë ekonomike.  

Një gjë e mirë specifikohet në raport se ekonomia e Italisë u rrit 3.9 për qind vitin e kaluar, me pjesën më të madhe të rritjes që erdhi nga gjysma e parë e vitit, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave të Italisë (ISTAT).  

Megjithatë, kjo rritje është lënë në hije nga një rritje mesatare prej 8.1 për qind e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve gjatë së njëjtës periudhë, thuhet në raport. Përfshirë janarin (muajin më të fundit për të cilin disponohen të dhëna), çmimet u rritën me dy shifra në bazë vjetore për secilin nga katër muajt e fundit.  

Raporti i “Nomisma” zbuloi gjithashtu se 26 për qind e italianëve kishin frikë se nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për të zgjatur për një muaj të tërë dhe aftësia për të kursyer para për të ardhmen ishte ulur për 54 për qind të italianëve në vitin 2022.  

Gjatë anketimit, një italian në shtatë, rreth 14 për qind, thanë se fitonin më pak se sa kërkohet për të përballuar jetesën, dhe një e katërta e të anketuarve thanë se i shpenzuan të gjitha paratë e tyre për blerje thelbësore.  

Gjetjet e “Nomisma” bazohen në një sondazh gjithëpërfshirës të kryer midis një grupi përfaqësues italianësh të moshës 18-65 vjeç.  

Megjithëse Italia është nën mesataren për sa i përket produktit të brendshëm bruto për frymë për Eurozonën, ajo tradicionalisht ka qenë në nivelin më të lartë për sa i përket fuqisë blerëse pasi mallrat dhe shërbimet në vend janë përgjithësisht më pak të shtrenjta se në shtetet e tjera të eurozonës. (Elona)