Sondazhi: Dokumenti i qëndrimit të Kinës për krizën në Ukrainë pranohet gjerësisht
2023-02-26 15:55:18

Ndërsa përshkallëzimi i përgjithshëm i krizës së Ukrainës arriti pikën e saj njëvjeçare, Instituti i Studimit të Politikave i CGTN-së organizoi një sondazh global të opinionit për përdoruesit në botë.  Sipas këtij sondazhi, 82.6 për qind e të anketuarve besojnë se gjëja më e rëndësishme tani është ndërprerja e armiqësive dhe nxitja e bisedimeve për paqe. Dialogu dhe negociatat janë të vetmet zgjidhje praktike për krizën në Ukrainë.

foto/VCG

foto/VCG

Ministria kineze e Punëve të Jashtme publikoi qëndrimin e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë të premten, duke përshkruar në mënyrë gjithëpërfshirëse pozicionin dhe propozimet bazë të saj në 12 aspekte.

Në dokument theksohet se sanksionet e njëanshme dhe presioni maksimal nuk mund ta zgjidhin çështjen; ato krijojnë vetëm probleme të reja. Sipas sondazhit, 91.6 për qind janë dakord me këtë dhe u bëjnë thirrje disa vendeve që të braktisin mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe të ndalojnë abuzimin me sanksionet e njëanshme ndaj vendeve të tjera për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

Gjithashtu vihet në dukje se sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të ruhen në mënyrë efektive, gjë që mbështetet nga 86 për qind e të anketuarve, të cilët besojnë se interesat legjitime të sigurisë dhe shqetësimet e të gjitha vendeve duhet të merren seriozisht dhe të trajtohen siç duhet.

Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar vuajtje të pamasë për njerëz të panumërt dhe Kina është shumë e shqetësuar për këtë. Dokumenti shton se nevojiten përpjekje për të rritur ndihmën humanitare në zonat përkatëse, për të përmirësuar kushtet jetësore dhe për të ofruar akses të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar, me synimin për të parandaluar një krizë në një shkallë më të gjerë. Rreth 89.5% e të anketuarve në sondazh pajtohen me këtë pikëpamje.

Një vit nga shpërthimi i konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes dhe dialogut dhe ka insistuar në promovimin e bisedimeve për paqe. Dokumenti i pozicionit të Kinës tregon përkushtimin e saj si një vend i madh, përgjegjës për të luajtur një rol konstruktiv në zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe arritjen e paqes sa më shpejt që të jetë e mundur.

foto/VCG

foto/VCG

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, Stephane Dujarric, tha në një konferencë të rregullt për shtyp të premten se dokumenti i qëndrimit të Kinës për një zgjidhje politike të krizës në Ukrainë përfaqëson “një kontribut të rëndësishëm”. “Unë mendoj se plani i paraqitur nga qeveria kineze është një kontribut i rëndësishëm,” - tha zëdhënësi, duke shtuar se “thirrja për të shmangur përdorimin e armëve bërthamore është veçanërisht e rëndësishme”.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova i vlerësoi mjaft  propozimet e paraqitura nga Kina në të njëjtën ditë, duke thënë se “Ne e vlerësojmë shumë aspiratën e miqve tanë kinezë për të kontribuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë me mjete paqësore”. “Ne ndajmë pikëpamjet e Kinës dhe do të bëjmë përpjekje të respektojmë parimet e Kartës së OKB-së dhe dispozitat e së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën humanitare dhe pandashmërinë e sigurisë.” - shtoi ajo.

Ekspertët ukrainas i bënë jehonë përgjigjes ruse për propozimet e reja të Kinës gjatë intervistave me CGTN-në. “Kina është fuqia e dytë më e madhe në botë sot dhe pozicioni i saj nuk mund të injorohet. Nisma e Kinës ka fituar mbështetje nga shumë vende në zhvillim.” - tha Vadim Karasyov, shkencëtar politik ukrainas dhe drejtor i Institutit të Strategjive Globale. Sipas tij, “Qëndrimi i Kinës është i detyruar të merret seriozisht nga të dyja palët në konflikt dhe nga fuqitë e sotme kryesore botërore”.

“Pozicioni i shpallur nga Kina është një grup parimesh universale të përshtatshme për zgjidhjen paqësore të konflikteve, i cili bazohet në Kartën e OKB-së, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe etikës njerëzore. Shumica e parimeve të saj mund të jenë bazë për zgjidhjen paqësore të dallimeve. Qëndrimi i Kinës meriton studim dhe analizë të mëtejshme” - tha për CGTN-në Ruslan Bortnik, drejtor i Institutit të Analizës dhe Menaxhimit të Politikave të Ukrainës.

foto/VCG

foto/VCG

Ndërsa ekonomisti amerikan me famë botërore Jeffrey Sachs, përshëndeti gjithashtu propozimet e Kinës për paqe, duke thënë se ajo që Kina ka thënë për krizën Rusi-Ukrainë, dokumenti i sapobotuar dhe Iniciativa e Sigurisë Globale e Kinës, janë jashtëzakonisht të rëndësishme.  Sipas tij,  “Kina e kuptoi që në fillim se kishte interesa të vërteta sigurie për të dyja palët, Ukrainën dhe Rusinë,  të cilat duhen respektuar në mënyrë që kjo luftë të përfundojë. Këto interesa duhet të reflektohen dhe respektohen përmes dialogut dhe negociatave.”

Sipas raporteve, vendet në zhvillim në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë të Jugut do të mbështesin propozimin paqësor të Kinës për një zgjidhje politike të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.  (Fang Xiaoyu/Laçi)