Kina e Rusia do të bashkërendojnë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe do të rinisin mekanizmat e dialogut
2023-02-23 17:09:00

Foto nga MPJ

Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të bashkërenduar shkëmbimet e nivelit të lartë, për të rinisur mekanizmat e dialogut dhe të bashkëpunimit e për të forcuar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, tha drejtori i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Wang Yi gjatë një takimi të mërkurën në Moskë me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Sipas udhëzimeve strategjike të presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, partneriteti i gjithanshëm strategjik i bashkërendimit për një epokë të re Kinë-Rusi vazhdon në një nivel të lartë, tha Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së.

Diplomati i lartë kinez theksoi që, përpara ndryshimeve të thella në arenën ndërkombëtare, Kina dhe Rusia kanë ruajtur gjithmonë vendosmërinë strategjike dhe kanë ndjekur drejtimin e përgjithshëm të ndërtimit të një bote shumëpolare, duke mbrojtur e praktikuar multilateralizmin e vërtetë. Të dy vendet kanë kundërshtuar veprimet e njëanshme dhe ngacmuese të çdo formë, kanë mbrojtur me forcë interesat e tyre të sovranitetit, sigurisë e zhvillimit, kanë eksploruar aktivisht dhe kanë ndjekur një rrugë zhvillimi që përputhet me kushtet e tyre kombëtare dhe kanë shfrytëzuar vazhdimisht potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Pavarësisht se si ndryshon gjendja ndërkombëtare, pala kineze shpreson që marrëdhëniet e saj me palën ruse, të cilat janë kategorizuar si një lloj i ri marrëdhëniesh ndërmjet fuqive të mëdha, do të kenë një hov të fortë zhvillimi, theksoi Wang.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha nga ana e tij se Rusia i vlerëson lart marrëdhëniet e saj me Kinën dhe është e gatshme të punojë me palën kineze për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shteteve, duke  konsoliduar dhe zhvilluar partneritetin e gjithanshëm strategjik të bashkërendimit për një epokë të re Rusi-Kinë.

Të dy palët zhvilluan gjithashtu diskutime të thella mbi çështjen e Ukrainës. Wang theksoi se, sa më e komplikuar të jetë situata, aq më e rëndësishme është të mos hiqet dorë nga përpjekjet për arritjen e paqes.

Ai shprehu shpresën që të gjitha palët do të kapërcejnë vështirësitë, do të vazhdojnë të krijojnë kushte për dialogun e negociatat dhe do të kërkojnë një rrugë efektive për një zgjidhje politike.