Për një botë më të sigurt, Kina ofron projektin e saj
2023-02-22 16:04:08

Kina publikoi të martën “Dokumentin konceptual mbi Nismën e Sigurisë Globale”, i cili është një projekt i ofruar nga Kina për të zgjidhur problemet e tanishme të sigurisë botërore. Në dokument shpjegohet koncepti thelbësor i nismës kineze, duke paraqitur 20 drejtime të rëndësishme bashkëpunimi dhe duke hartuar një plan të hollësishëm për vënien në jetë të saj.

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang deklaroi publikimin e dokumentit(Foto:MPJ))

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang deklaroi publikimin e dokumentit "Dokumentin konceptual mbi Nismën e Sigurisë Globale"(Foto:MPJ))

Realizimi i paqes së vazhdueshme të botës është dëshira e përbashkët e popujve të vendeve të ndryshme. Por përkundrazi, në vitet e fundit, bota është bërë më e pasigurt dhe më e paqëndrueshme. Nga njëra anë, njerëzit përjetuan një betejë të vështirë me pandeminë e koronavirusit të tipit të ri. Nga ana tjetër, kërcënimet tradicionale dhe jotradicionale ndaj sigurisë po ndërlidhen në mënyrë më të ndërlikuar. Sidomos kriza e Ukrainës, e shpërthyer në fillim të vitit të kaluar, ka krijuar miliona refugjatë, duke goditur gjithashtu rëndë furnizimin me ushqime dhe energji në përmasë globale.

Çfarë nuk shkon mirë në botën e sotme? Si të dalim nga vështirësitë lidhur me çështjen e sigurisë? Në prillin e vitit të kaluar, kreu i shtetit i Kinës Xi Jinping paraqiti Nismën e Sigurisë Globale, duke propozuar një rrugë të re të bazuar mbi dialogun e jo kundërvënien, partneritetin e jo aleancat, leverdinë e përbashkët e jo “lojën ku fituesi i merr të gjitha”. Deri tani kjo nismë ka fituar përkrahjen e mbi 80 vendeve e rajoneve të botës.

Nga shumë konflikte e kriza njerëzit kanë kuptuar se normat e njohura gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, si parimet e Kartës së OKB-së, nuk janë mbrojtur e zbatuar siç duhet. Disa vende perëndimore i trajtojnë problemet e sigurisë me standarde të dyfishta dhe theksojnë sigurinë e vet absolute, duke shpërfillur ose dëmtuar sigurinë e vendeve të tjera. Po ashtu, disa vende besojnë te “ligji i xhunglës” dhe promovojnë kundërvënien në grup, duke shpërdorur forcën dhe duke kërcënuar për dhunë.

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang deklaroi publikimin e dokumentit "Dokumentin konceptual mbi Nismën e Sigurisë Globale"(Foto:MPJ))

Lidhur me këto “simptoma”, Nisma e Sigurisë Globale e vë theksin te këmbëngulja në gjashtë fusha, që janë përkatësisht koncepti i sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, bashkëpunuese e të vazhdueshme; respektimi i sovranitetit e i tërësisë territoriale të të tëra vendeve; zbatimi i objektivave dhe i parimeve të Kartës së OKB-së; të kushtuarit rëndësi shqetësimeve të arsyeshme për sigurinë të vendeve të ndryshme; zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve dhe e konflikteve nëpërmjet bisedimeve e dialogut dhe bashkërendimi i ruajtjes së sigurisë në fushat tradicionale dhe jotradicionale.

Sipas një analize të Grupit Mediatik të Kinës, këto "gjashtë këmbëngulje" kanë në fokus interesat e përbashkët të njerëzimit dhe përbëjnë edhe pjesët kryesore të nismës.

Foto:VCG

Foto:VCG

Si të realizohen këto "gjashtë këmbëngulje"? Në dokument paraqiten 20 drejtime kryesore të bashkëpunimit rreth problemeve më të dukshme e të ngutshme ndërkombëtare të sigurisë, duke propozuar ide për krijimin e platformave dhe të mekanizmave përkatës.

Si vendi më i madh në zhvillim, Kina nuk mund të zhvillohet pa një botë të sigurt, prandaj ajo ka luajtur gjithmonë një rol aktiv në mbrojtjen e sigurisë globale. Në dokument theksohet se Kina do ta përkrahë OKB-në të shtojë përpjekjet për të parandaluar konfliktet, do të nxitë vendet e mëdha të mbajnë përgjegjësi shoqërore të veçantë e të rëndësishme për mbrojtjen e paqes e të sigurisë botërore, do të ruajë me vendosmëri konsensusin që "një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë" etj. Në të njëjtën kohë, Kina propozon krijimin e më shumë kanaleve për bashkëpunim e shkëmbime ndërkombëtare, për të përballuar sfidat ndaj sigurisë në luftën kundër terrorizmit, hapësirën kibernetike, rreziqet biologjike, teknologjitë e reja etj.

Foto:VCG

Mësimet nga historia dhe krizat e sotme i kanë paralajmëruar njerëzit se shoqëria njerëzore nuk duhet të ndjekë rrugën e vjetër të kundërvënies në grup e të ndarjes dhe as të bjerë në kurthin e lojës ku fituesi i merr të gjitha dhe të luftërave e konflikteve. “Siguria është e drejta e vendeve të ndryshme, jo një privilegj i disa vendeve. Për një botë më të sigurt, të gjitha vendet duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Pala kineze shpreson se palët e ndryshme do të marrin pjesë në Nismën e Sigurisë Globale dhe do të punojnë së bashku për t'i vënë në jetë objektivat e saj, duke sjellë më shumë paqe dhe qëndrueshmëri për të gjithë botën,” përfundon komenti i CMG-së.