Shëndeti i njerëzve nuk është vetëm një tregues thelbësor i forcës kombëtare, por edhe një aspiratë e përbashkët e të gjithë banorëve të një vendi. Për të arritur këtë objektiv, Kina krijoi sistemin e sigurimeve për punonjësit e qyteteve në vitin 1998. Ai përbëhet nga dy pjesë: llogaritë personale të detyrueshme me kontribute si nga punëmarrësit, ashtu edhe nga punëdhënësit e tyre, të cilat kryesisht paguajnë për shërbimet ambulatore dhe ilaçet për sëmundje të lehta; si edhe një fond i përbashkët me kontribute nga punëdhënësit që përdoret për të rimbursuar faturat e shtrimit në spital dhe të shërbimeve ambulatore për sëmundjet e rënda.
Foto:VCG
Mirëpo, me hyrjen e shpejtë të Kinës në fazën e një shoqërie në plakje dhe rritjen e përqindjes së prekjes nga sëmundjet kronike, kufizimet e sistemit janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Sfidat kryesore përfshijnë mbështetjen e pamjaftueshme për ata që kanë vërtet nevojë, mungesën e ndihmës reciproke dhe efektet e paqarta në lehtësimin e barrës ekonomike të pacientëve.
Në vitin 2021, Këshilli i Shtetit i Kinës nxori Udhëzimet për Krijimin dhe Përmirësimin e Mekanizmit të Garancisë së Ndihmës së Ndërsjellë Ambulatore brenda Sigurimeve Mjekësore Bazë të Punonjësve, që rregullojnë strukturën e kontributeve nga punëdhënësi në fondin e përbashkët dhe llogaritë personale, me zgjerimin e përdorimit të pjesës së fondit të përbashkët për ndihmën reciproke ambulatore, duke rritur njëkohësisht përqindjen e rimbursimit për faturat mjekësore të shërbimeve ambulatore.
Pas kësaj reforme, punonjësit ende mund të mbajnë dhe depozitojnë kontribute personale në llogaritë e tyre personale, të cilat do të ruajnë pjesë të funksioneve origjinale. Nga ana tjetër, fondi i përbashkët, tashmë me 100 për qind fonde të paguara nga punëdhënësi, mund të sigurojë më shumë rimbursim, duke përfshirë shpenzimet e përgjithshme ambulatore. Kjo reformë ndihmon ata që kanë nevojë për trajtim mjekësor, përmbush mangësinë e sistemit të mëparshëm dhe ul ndjeshëm barrën financiare për pacientët. Ajo pasqyron gjithashtu funksionin e sigurimeve shoqërore në rishpërndarje, që ndihmon për promovimin e begatisë së përbashkët dhe të shëndetit të banorëve.
Mbulimi i shërbimeve mjekësore ambulatore nga fondi i përbashkët arrihet nëpërmjet rregullimit të strukturës së brendshme të fondit. Një ndryshim i tillë mund të sigurojë përfitime për përdoruesit e shërbimit ambulatore pa mbledhje të fondeve shtesë ose rritje të kontributeve nga punëdhënësit dhe punëmarrësit. Fondet për këtë vijnë nga përqindja e kontributeve prej punëdhënësve që shkonin në llogaritë personale të punëmarrësve dhe nga rishpërndarja e fondeve origjinale të grumbulluara.
Pas kësaj reforme, funksioni i ndihmës reciproke të sistemit të sigurimeve mjekësore të Kinës është përmirësuar ndjeshëm, duke sjellë përfitime për punëmarrësit e siguruar që kanë nevojë për shërbime ambulatore dhe ata me shumë sëmundje. Më parë, shpenzimet ambulatore për sëmundjet e zakonshme dhe të shpeshta nuk rimbursoheshin nga fondi i përbashkët, por tani janë përfshirë, duke ulur barrën për pacientët. Në veçanti, për punonjësit e siguruar me sëmundje të shumta dhe sëmundje kronike, rimbursimi që mund të marrin nga fondi i përbashkët i tejkalon shumë depozitimet e ulura në llogaritë e tyre personale.
Foto:VCG
Duke vënë disa qindra juanë në llogarinë personale, ata mund të rimbursohen me mijëra juanë nga fondi i përbashkët. Në vitin 2022, mekanizmi i ri u provua në 1.18 miliardë vizita ambulatore, me përqindje rimbursimi për faturat mjekësore ambulatore të të siguruarve në rreth 50 për qind. Edhe pse reforma nënkupton pakësimin e depozitimeve të reja në llogaritë personale të shumicës së të siguruarve, nga rritja e përqindjes së rimbursimit për faturat ambulatore mund të përfitojnë të moshuarit, duke u mundësuar atyre një kujdes më të mirë mjekësor.
Gjithashtu, sfera e përfituesve prej llogarive personale mund të zgjerohet nga punëmarrësit e siguruar te bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët. Kjo mundëson një mbulim më të madh.
Pas reformës, llogaritë personale mund të përdoren gjithashtu për të paguar pjesën e shpenzimeve të veta në institucionet mjekësore, si edhe për barnat, pajisjet mjekësore dhe materialet e konsumueshme të blera në farmaci. Llogaritë personale të punonjësve të qyteteve mund të përdoren gjithashtu për të paguar kontributet personale të bashkëshortëve, prindërve dhe fëmijëve të tyre që marrin pjesë në programin e sigurimeve mjekësore bazë për banorët e qytetit dhe të fshatit, duke rritur në këtë mënyrë efikasitetin e përdorimit të fondeve të sigurimeve mjekësore e duke zgjeruar gamën e mbulimit.
Kina e ka konsideruar gjithmonë përmirësimin e shëndetit të njerëzve si një objektiv të rëndësishëm dhe ka zbatuar një sërë masash reformuese për të nxitur zhvillimin e shpejtë të shërbimeve shëndetësore dhe mjekësore. Kjo reformë synon të shtojë përfitimet e të siguruarve nga sigurimet mjekësore, duke ripërcaktuar përdorimin e fondeve të sigurimeve shëndetësore, pa rritur barrën financiare për individët apo sipërmarrjet. Duke maksimizuar efektivitetin e fondeve të sigurimeve shëndetësore, kjo reformë synon të arrijë objektivin për të pasur një popullsi të shëndetshme dhe promovimin e barazisë shoqërore.
Foto:VCG
Shënim: Autori Lu Jiahai është profesor i Departamentit të Epidemiologjisë të Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin “Sun Yat-Sen” dhe drejtor i Laboratorit Kryesor Kombëtar të Administrimit të Produkteve Mjekësore për Monitorimin dhe Vlerësimin e Cilësisë së Vaksinave dhe Produkteve Biologjike.