OKB: Dëmtimi i infrastrukturës pengon përpjekjet për ndihmë nga tërmeti në Turqi
2023-02-09 10:51:50

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Dëmet e mëdha në infrastrukturë të shkaktuara nga tërmetet në Turqi dhe Siri po pengojnë përpjekjet për ndihmë nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara (OKB), thanë zyrtarët.

Ekipet e para ndërkombëtare të vlerësimit dhe koordinimit të fatkeqësive, pasi mbërritën në aeroportin e Adanasë në Turqi, do të zhvendosen në Gaziantep, epiqendra e tërmetit të parë, thanë zyrtarët e OKB-së në një konferencë shtypi në Gjenevë, citon “Xinhua”.

Megjithatë, ka akses të kufizuar rrugor dhe mungesë kamionësh për t'i transportuar ata në vendin e punës. Prandaj, autoritetet turke të fatkeqësive po shqyrtojnë mobilizimin e helikopterëve dhe kamionëve nga provincat e tjera më larg.

Një përfaqësues i OKB-së në terren tha në konferencë shtypi përmes lidhjes video se deri më tani rreth 8000 persona ishin shpëtuar nga ekipet e kërkimit dhe shpëtimit.

Ndërkohë, agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR njoftoi se po siguronte komplete kuzhine, dyshekë dhe tenda për të prekurit nga fatkeqësia.

“Tërmeti i fundit është një goditje e rëndë për popullin e Turqisë dhe sirianët e zhvendosur në rajon, të cilët tashmë kanë vuajtur më shumë se një dekadë luftë dhe po goditen nga një krizë ekonomike dhe stuhi dimërore”,- deklaroi një zyrtar i UNHCR-së.

Më shumë se 1.7 milionë nga rreth 15 milionë persona që banojnë në dhjetë provincat turke më të prekura nga tërmetet janë refugjatë sirianë, sipas UNHCR-së. Në disa nga këto provinca, një në dy është refugjat.

Turqia ka pritur popullsinë më të madhe të refugjatëve në botë që nga viti 2014. Rreth 4 milionë refugjatë dhe azilkërkues janë në Turqi nën mbrojtje të përkohshme dhe ndërkombëtare.

“Nuk e dimë numrin e saktë të refugjatëve të prekur dhe mund mos ta dimë për disa ditë, por kemi frikë se numri mund të jetë i rëndësishëm duke pasur parasysh se epiqendra e tërmetit ishte afër zonave me përqendrime të larta refugjatësh”,- tha zyrtari i UNHCR-së.

Sipas raportimeve të fundit të mediave, më shumë se 7000 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra mijëra janë plagosur pas tërmeteve masive që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën. Zyrtarët e OKB-së thonë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të vazhdojë të rritet. Për më tepër, shumë prej ndërtesave në zonat e prekura janë strukturore të pashëndetshme dhe mund të shemben në ditët në vijim.

OKB-ja ka njoftuar një grant prej 25 milionë dollarë amerikanë për të nisur reagimin humanitar. (Irma)