Videotakimi ndërmjet ministrit të Tregtisë të Kinës Wang Wentao dhe homologut të tij australian Don Farrell / foto nga VCG
Ditët e fundit, videotakimi ndërmjet ministrit të Tregtisë të Kinës Wang Wentao dhe homologut të tij australian Don Farrell ka tërhequr vëmendjen e opinionit, duke u quajtur si “dialogu cloud” i parë gjatë tre vjetëve ndërmjet funksionarëve të lartë ekonomiko-tregtarë të të dy vendeve.
Gjatë videotakimit, ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao tha se pala kineze është e gatshme të rinisë mekanizmin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare me palën australiane dhe të zgjerojë hapësirën e bashkëpunimit në fusha si ndryshimi i klimës, energjitë e reja etj. Njëkohësisht, të dyja vendet duhet të forcojnë shkëmbimet dhe bashkërendimin në fushën ekonomiko-tregtare, që të kërkojnë rrugëzgjidhjet me leverdi të ndërsjellë dhe përfitime të përbashkëta rreth çështjeve me interes për secilën palë. Ai vuri në dukje gjithashtu se pala kineze i kushton rëndësi të madhe politikës së palës australiane lidhur me kontrollin e rreptë mbi sigurinë për investimet dhe biznesin e ndërmarrjeve kineze në Australi. Ai shprehu shpresën se pala australiane do t’i trajtojë si duhet këto raste dhe do t’u krijojë ndërmarrjeve kineze një mjedis biznesi të barabartë, të hapur dhe jodiskriminues.
Nga ana e tij, ministri australian i Tregtisë Don Farrell ritheksoi gjatë videotakimit përplotësueshmërinë ekonomike midis dy vendeve dhe tha që Australia e Kina përkrahin sistemin tregtar shumëpalësh të bazuar në rregulla. Pala australiane dëshiron të përpiqet bashkërisht me palën kineze për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shtimin e besimit të ndërsjellë nëpërmjet dialogut të sinqertë.
Në një artikull të saj, agjencia “Reuters” komentoi se ky videotakim midis Australisë dhe Kinës është shenja e fundit e zbutjes së marrëdhënieve midis dy vendeve. Duke iu referuar vlerësimit të ministrit Don Farrell për këtë takim, “Reuters” u shpreh se “kjo përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për stabilizimin e marrëdhënieve australiano-kineze”.
Lidhur me këtë, Guo Chunmei, studiuese e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Moderne të Kinës, analizoi: “Gjatë disa vjetëve të kaluar, dialogu politik ndërmjet Kinës dhe Australisë ka hasur shumë pengesa, si pasojë e zigzageve dhe vështirësive në marrëdhëniet midis dy vendeve. Por, pas përpjekjeve të bëra për mbi gjysmë viti, po duken shenja pozitive. Nën drejtimin e dialogut politik, besoj se do të shihet kthimi në binarët normalë i veprimtarisë ekonomiko-tregtare. Kina ka ruajtur pozicionin e palëkundur si partnerja më e madhe tregtare e Australisë. Përplotësimi ekonomik i të dy vendeve është i pazëvendësueshëm nga partnerët e tjerë tregtarë.”
Një minierë qymyrguri në Australi/ foto nga VCG
Aktualisht, për Australinë Kina është partnerja tregtare nr. 1 , tregu më i madh i eksportit dhe burimi më i madh i importit. Sipas të dhënave statistikore të palës kineze, në vitin 2022 vëllimi i tregtisë dypalëshe ndërmjet Kinës dhe Australisë ishte 1.47 trilionë, duke u ulur 0.9 për qind në krahasim me vitin pararendës. Ndër to, eksporti nga Kina në Australi u shtua 23 për qind në krahasim me vitin 2021, ndërsa importi nga Australia u ul 10.6 për qind. Kryeekzekutivi i Shoqatës së Karkalecave Shkëmborë të Perëndimit të Australisë Matt Taylor vuri në dukje se tregu kolosal i Kinës nënkupton një forcë të fuqishme blerëse. “Kina është tregu më i favorshëm për ne. Kina përbëhet nga shumë krahina dhe secila prej tyre është një treg i madh. Kina mund të blejë pothuajse të gjitha furnizimet tona, me një çmim ndoshta dy herë më shumë se një treg tjetër i mundshëm.”
Kompania amerikane e transmetimit ABC komentoi se ky videotakim ka mundësi të krijojë “një rrugë pa pengesë për rifillimin e tregtisë” ndërmjet të dy vendeve. Gjatë një interviste ditët e fundit për këtë media, ministri Don Farrell tha haptazi se zhvillimi jonormal i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare ndërmjet Australisë e Kinës “nuk është i dobishëm për të dy vendet”. Sipas tij, “afro 20 miliardë dollarë amerikanë tregti midis dy vendeve u ndikuan, veçanërisht në sektorët e peshkimit, të verës, të mishit dhe të qymyrgurit.”
Mjaft media autraliane janë të mendimit se shumë shenja tregojnë që marrëdhëniet ekonomiko-tregtare të Australisë me Kinën do të bëhen përsëri të ngrohta këtë vit. Gazetari i televizionit “Bloomberg” në Sidnei Paul Allen vuri në dukje se në janar të këtij viti, katër importues kinezë siguruan lejen për rifillimin e importit të qymyrgurit nga Australia. Qoftë për sa i përket qymyrgurit, ose edhe karkalecave të detit, kompanitë australiane nuk mund të ndahen nga Kina, si një partnere e rëndësishme tregtare. (Wang Lei/ Artan)