Festa e Pranverës në Fshatin Yuanjia
2023-02-02 18:37:26

foto nga VCG

Rruga e gatimeve lokale në fshatin Yuanjia/ foto nga VCG

Gjatë pushimeve njëjavore me rastin e Festës së Pranverës, fshati Yuanjia ka tërhequr turistë nga të katër anët, me frymën e theksuar të jetesës në zonat rurale të Kinës Veriperëndimore.

Atmosfera e Festës së Pranverës mishërohet në arkitekturën historike të fshatit, ushqimet lokale, si edhe punishtet e vogla të prodhimit me dorë të plehrave bujqësore, të uthullës dhe të vajit.

Fshati Yuanjia ka vetëm 62 familje me 286 pjesëtarë. Pavarësisht nga përmasa e vogël, ai pret përvit mbi 6 milionë turistë dhe të ardhurat vjetore nga turizmi i kalojnë 1 miliard juanët, ndërsa të ardhurat neto për frymë arrijnë mbi 100 mijë juanë në vit.

Vitet e fundit, ky fshat është nderuar me tituj si "Pikë turistike 4A e rangut kombëtar", "Fshat i qytetëruar kombëtar" etj., dhe është përfshirë në dhjetë fshatrat më të bukura të Kinës.

Në këtë fshat ka një zakon që me rastin e Festës së Pranverës, organizohet një "darkë e madhe familjare", ku të gjithë banorët e fshatit grumbullohen së bashku për të kremtuar Vitin e Ri Kinez.

foto nga VCG

Rruga e gatimeve lokale në fshatin Yuanjia/ foto nga VCG

Por para disa dekatave, situata në fshatin Yuanjia ishte krejtësisht ndryshe. I ndodhur në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, ky fshat ishte më i vogli dhe më i varfri në konte. Në vitet '60 të shekullit të kaluar ai përshkruhej me vargje të tilla: "Mungon vaji për ndezjen e llambave, mungon kau për lëvrimin e arave, mungon drithi për ushqim, mungojnë paratë për martesat e të rinjve dhe mungon dikush që të drejtojë banorët".

Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, fshati Yuanjia doli nga skamja përmes mbjelljes së drithërave dhe pambukut, me rendimentin më të lartë në mbarë provincën. Ndërsa një dekadë më pas, duke përfituar nga reforma, fshati realizoi tranzicionin nga një ekonomi bujqësore në industriale, duke ngritur shumë ndërmarrje me pronësi kolektive dhe duke u bërë një "fshat i begatë" i njohur në provincën Shaanxi. Por pas vitit 2000, me ndryshimin e politikës kombëtare mbi industrinë, këto ndërmarrje të vogla u mbyllën për shkak të konsumit të lartë të energjisë dhe ndotjes së madhe. Kështu me tkurrjen e ekonomisë kolektive, u ulën edhe të ardhurat e fshatarëve. Madje mjaft banorë u detyruan të punonin larg vendlindjes dhe fshati pothuajse u "zbraz".

foto nga VCG

foto nga VCG

Duhej të vinte viti 2007, që fshati Yuanjia të niste një tranzicion të ri, këtë herë duke zgjedhur degën e shërbimeve për zhvillimin e turizmit rural. Në fillim, kur kryetari i atëhershëm i fshatit Guo Zhanwu paraqiti këtë mendim, pothuajse askush nga banorët nuk e miratoi, sepse në fshat kishin mbetur vetëm të moshuar dhe fëmijë dhe kishte humbur gjallëria. Nga ana tjetër, shumë ekspertë të fushës nuk mendonin se ky fshat kishte kushte për turizmin, pasi nuk shquhej për ndonjë panoramë të rrallë apo mbetje të ndonjë qytetërimi të lashtë. Por Guo Zhanwu paraqiti një ide novatore, që të krijonte bazën e eksperiencës së një kulture folklorike në rajonin Guanzhong. Ai i organizoi fshatarët të inspektonin qytezat më të famshme të lashta në vend, si Lijiang i provincës Yuannan, Pingyao në provincën Shanxi etj., për të “kopjuar” eksperiencat e tyre, por edhe për të çliruar mendime dhe koncepte të reja për fshatin e tyre. Yuanjia nuk kishte qenë fshat i lashtë dhe nuk kishte as ndërtesa të vjetra muzeale. Prandaj, fshati bleu tre godina të lashta nga kontetë përreth, i shformoi tërësisht ato dhe i rindërtoi nga e para në fshat sipas formës origjinale. Në bazë të këtyre ndërtesave të lashta, u krijua rruga e sotme me karakteristika folklorike në fshatin Yuanjia.

Edhe mezetë origjinale të rajonit Guanzhong ishin një tjetër katërvizitë e fshatit Yuanjia. Të gjithë anëtarët e Komitetit të fshatit kërkuan gatimet më origjinale dhe kuzhinierët më të zotë nga fshatrat përreth dhe i ftuan të bëjnë biznes në fshatin Yunajia. Kur erdhën turistët e parë, mezetë në këtë fshat nuk ishin aq të njohura. Por Komiteti i fshatit vendosi që kuzhinierët të merreshin vetëm me gatime tradicionale dhe nëse mezetë e tyre nuk shiteshin, do të shpërndaheshin për banorët vendës dhe çoheshin falas për ndërmarrjet e sektorët qeveritarë në qytetet përreth. Gradualisht, gjithnjë e më shumë njerëz njohën mezetë e fshatit Yuanjia dhe tashmë mezi presin të shkojnë vetë aty për të shijuar recetat origjinale.

foto nga VCG

Punishtja e vogla e prodhimit me dorë të uthullës/ foto nga VCG

Në vitin 2012, fshati Yuanjia hyri në një fazë të re zhvillimi. Rruga e mezeve kishte nxitur vizitat në fshat, por turistët qëndronin atje vetëm brenda harkut kohor të një dite. Si t'i mbanin më gjatë turistët aty? Guo Zhanwu dhe anëtarët e Komitetit të fshatit inspektuan përsëri shumë pika turistike dhe vendosën të shtonin baret dhe lagjen e arteve për tërheqjen e më shumë turistëve. 31-vjeçari Chen Ga kishte një kompani dizenjimi në qytetin Xian. Nga një vizitë e rastit në fshatin Yuanjia së bashku me disa miq, ai zbuloi se aty mungonin objektet e kulturës krijuese, kështu hapi një dyqan të vogël në vitin 2014 për shitjen e këtyre produkteve, si harta të vizatuara me dorë, karta poste, artizanate etj., të cilat pëlqehen shumë nga turistët. Në vitin e dytë, ai hapi një tjetër dyqan në korridorin e arteve të fshatit Yuanjia me motive qeramike. Ky dyqan u bë më vonë një platformë e dizenjuesve, ku mblidhen dhe shiten artizanate qeramike të mbarë vendit.

Pas zhvillimit mbi dhjetëvjeçar fshati Yuanjia ka formuar një sistem të tërë turistik, së bashku me monumentet historike përreth. Në këtë fshat mbi 3 mijë operatorë merren me turizmin, përfshirë bujtinat rurale, punishtet e vogla, baret, etj. Atje janë përqëndruar edhe një grup të rinjsh që dashurojnë krijimtarinë artistike për enë qeramike, piktura vaji, skulptura, gdhendje, arte pamore, etj. Në këtë fshat me kulturë të diversifikuar, ata realizojnë ëndrrën për një jetë ndryshe.

foto nga VCG

foto nga VCG