Eurozona shënon rritje të PBB-së prej 0.1 për qind në tremujorin e katërt
2023-02-02 14:46:31

Eurozone (Foto Euractiv)

Eurozone (Foto Euractiv)

Produkti i brendshëm bruto (PBB) në Eurozonë u rrit me 0.1 për qind në tremujorin e katërt 2022 krahasuar me tremujorin e mëparshëm, sipas një vlerësimi të publikuar të martën nga “Eurostat”, zyra statistikore e Bashkimit Europian, cituar nga “Xinhua”.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, PBB-ja e Eurozonës pritet të jetë rritur me 1.9 për qind në tremujorin e katërt 2022 dhe 1.8 për qind në BE.

Sipas një vlerësimi të parë bazuar në të dhënat tremujore të rregulluara sezonale dhe kalendarike, në vitin 2022, PBB-ja e Eurozonës u rrit me 3.5 për qind dhe ajo e BE-së me 3.6 për qind.

“Pavarësisht krizës së energjisë dhe inflacionit të mëvonshëm, ekonomia e Eurozonës sfidoi edhe një herë recesionin në tremujorin e katërt, duke treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme”,- deklaroi Bert Colijn, ekonomist i lartë për eurozonën në ING, sipas të cilit, shumica e ekonomive aktualisht janë në stagnim me rritje gati zero.

Gjermania dhe Italia kanë parë tkurrje të lehta pasi vuajnë më shumë nga kriza energjetike, ndërsa Franca dhe Spanja kanë arritur të shfaqin ritme të vogla rritjeje.

PBB-ja e Letonisë pritet të jetë rritur me 0.3 për qind midis tremujorit të tretë dhe të katërt 2022, ndërsa Spanja dhe Portugalia duhet të regjistrojnë një rritje të PBB-së prej 0.2 për qind në tremujorin e fundit krahasuar me atë të mëparshëm.

Lituania pritet të shënojë rënien më të madhe, me një rritje negative prej 1.7 për qind tremujor në tremujor. Rritja tremujore e PBB-së e Austrisë ishte negative 0.7 për qind dhe ajo e Suedisë negative 0.6 për qind.

Rritja e vogël e Eurozonës ka shumë të ngjarë të fshehë tkurrjen e kërkesës së brendshme, tha Colijn. Faktorë të tillë si rihapja e ekonomisë pas pandemisë, temperaturat e buta gjatë vjeshtës dhe mbështetja e qeverisë kanë ndihmuar në shmangien e një recesioni. (Elona)