Kolegji Universitar “Qiriazi”, 100 vite histori
2023-02-02 10:04:53

“Mosha e artë e një Universiteti" me autor Dr. Gjovalin Gjeloshi, është libri i promovuar në ambientet e bibliotekës shkencore të Kolegjit Universitar "Qiriazi". Aktiviteti u organizua nga Klubi i Librit "Qiriazi", një organizëm i studentëve letrarë të këtij universiteti. I ftuar ishte poeti e prozatori Viktor Gjikolaj, i cili mbajti diskutimin kryesor rreth vlerave të spikatura të këtij botimi, që e konsideroi si një pasaportë e këtij universiteti, i cili tashmë ka fituar "të drejtën e të qenit universiteti më i vjetër në Shqipëri". Studentja Marina Dyli, kryetare e Klubit Letrar dhe njëkohësisht kryetare e Këshillit Studentor të universitetit, foli për traditën e Klubit te Letrarëve në promovimin e veprave dhe autorëve të ndryshëm dhe e cilësoi librin "si një udhërrëfyes për studentët". Pasi lexon këtë libër, u shpreh ajo, të rritet krenaria që studion në bankat e këtij universiteti me histori shekullore dhe me tradita të spikatura në arsimimin e femrës shqiptare. Këto tradita ne i shohim sot te përtëritura dhe të ngritura në një stad akoma edhe më të lartë.

Promovimi i librit kushtuar universitetit (Foto Universiteti)

Promovimi i librit kushtuar universitetit (Foto Universiteti)

"Një libër me titull që të fut në mendime, siç shkruan akademiku Gjovalin Shkurtaj, duke e cilësuar një monografi e cila mëton të ndriçojë udhën historike.

Përveç studentève, në promovimin e librit morën pjesë edhe pedagogë e drejtues të këtij universiteti, Presidenti Prof. Dr. Gjoke Uldedaj, Rektori Prof. Dr. Maksim Meço dhe stafi akademik, të cilët njëzëri pohuan se ky libër i niohu ata me një histori, e cila për vite me rradhë iu ishte mohuar brezit të tyre si një e vërtetë historike. Të pranishmit i përshëndeti edhe autori, Dr. i Gjovalin Gjeloshi, ndërsa promovimi i librit u kthye ne një bashkëbisedim me studentët.

Kolegji Universitar “Qiriazi” është pasardhës i Institutit Femëror “Qiriazi”, i themeluar në Kodër-Kamëz, në vitin 1922 dhe i rihapur mbi bazën e “Shkollës së Vashave” në Korçë më 1891. Është i vetmi institucion i arsmit të lartë në Shqipëri, që ka historinë e vazhdimësisë: 131 vite nga themelimi në Korçë dhe 100 vite nga rihapja në Tiranë. Themeluesit e këtij institucioni, janë Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, patriotë, rilindas dhe ikona të arsimit tonë kombëtar. Pas një heshtjeje gjysëmshekullore, hapja e këtij institucioni arsimor, me statusin e “Shkollës së Lartë Universitare” u realizua në vitin 2006 nga Robert Dako, për t’u rihapur me standardet e ligjit të ri për arsimin e lartë, nga Prof. Gjokë Uldedaj, në vitin 2016.

Sot në krye të 100 viteve, Kolegji Universitar “Qiriazi” ka një fytyrë dhe përmbajtje të re. Është rritur në sasi dhe cilësi. Ka katër Njësi kryesore: fakultetin e  Ekonomisë; të Drejtësisë; fakultetin e Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sportit si dhe Kolegjin Profesional të Lartë.

Misioni i Universitetit Qiriazi mbetet ofrimi i një arsimimi cilësor në nivelet e arsimit Profesional, Bachelor dhe Master. Baza e realizimit të këtij misioni është kombinimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor dhe punët laboratorike e praktike, duke pasur në qendër të vëmendjes studentin dhe  të ardhmen e tij.

Nga 2016-2022, “Kolegji  Universitar Qiriazi”, ka kaluar dy akreditime institucionale dhe janë të akredituara të gjitha programet e studimit.

I lindur në vitin 1960 dhe i mirëshkolluar në të gjitha ciklet, emri i Gjovalin Gjeloshit fillon e duket dendur në shtypin shqiptar në mesin e viteve 80-të. Ai ndan për Radio Ejani përvojën e tij jetësore si edhe për botimin e tij më të fundit të cilin kolegët e tij e shquajnë si "Pasaportë" të këtij kolegji 100-vjeçar.

Kolegji Universitar “Qiriazi”, 100 vite histori

Kolegji Universitar “Qiriazi”, 100 vite histori

CMG: Profesor, "Mosha e Artë" pse ky titull?

Gjovalin Gjeloshi: Titulli “Mosha e Artë”, i cili është në krye të librit, është domethënës për një universitet si ky. Nëse për një njeri do të konsiderohet e artë mosha 20-25 vjeçare, Universiteti e arrin këtë pasi të ketë mbyllur shekullin. Kolegji Universitar “Qiriazi” e ka këtë fat.

Ky është i vetmi ndër kolegjet në Shqipëri që është hapur 100 vite më parë, në 1922 nga ikonat e arsimit tonë kombëtar si Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Kolegji ka mbushur një shekull madje rrënjët janë të shtrira që në shekullin e 19-të, kur në qytetin e Korçës u hap Shkolla e Vashave, e cila ishte pararendëse e këtij kolegji, që më pas u hap në Tiranë.

CMG: Sa e njohin moshën e këtij universiteti të rinjtë?

Gjovalin Gjeloshi: Në fakt kemi pak probleme në këtë pjesë sepse janë të shumtë ata të cilët e mësuan historinë mbrapsht. Do ishte e zakonshme nëse regjimi i kohës nuk do t'i mbyllte brutalisht këto kolegje edhe në qytete të tjera. Kishte kolegje apo shkolla teknike, të cilat sot do të shërbenin për një të ardhme më të mirë. Ato shkolla nuk duhet të ishin mbyllur apo shuar.

Këto pra janë themelet e arsimit të lartë në Shqipëri. Të vetmet themele që e mbajtën godinën në këmbë janë ato të Institutit Femëror “Qiriazi”. Të gjitha universitet në botë që kanë ecuri kaq të gjatë janë të sukseshme. Universiteti e fillon rrugëtimin në ditën që ka lindur si çdo qënie e gjallë.

CMG: Përcaktimi “mosha më e vjetër”, a mund  të ngjallë xhelozi tek universitetet që përcaktohen  si më të vjetrat?

Gjovalin Gjeloshi:  Jo, nuk mendoj. Nuk ka pse të ndodhë dhe askush nuk mund të jetë xheloz për këtë. Asnjë universitet nuk mund të krahasohet me gjigantin "Universitetin e Tiranës”, por mund të themi që kemi një godinë historike dhe programe të mira studimi. “Mosha e Artë” nuk mund të vihet në diskutim. Nëse dikujt i vjen habi që ka në Shqipëri Universitet 100-vjeçar, e ftoj të lexojë historinë e Shqipërisë.

CMG: Meqë përmendet programet, sa i madh është Universiteti “Qiriazi” për nga numri i programeve dhe cilat janë ato?

Gjovalin Gjeloshi:  Në parantezë dua të them që një universitet nuk matet nga numëri i degëve, por cilësia e tyre akademike. Në këtë drejtim ne i qëndrojme teorisë pak dhe saktë. Në pak vite ky universitet është rritur shumë shpejt. Tashmë mund ta gjejmë veten si konkurrent në treg. Sot ka tre fakultete dhe një kolegj me status fakulteti, pra gjithsej 4 fakultete me 13 programe studimi.

CMG: Përmendet “cilësi akademike”. Si e vlerësoni këtë te Kolegji Universiteti “Qiriazi”?

Gjovalin Gjeloshi:  Ajo që shoh unë tek shkollat të tjera është që nuk fokusohen tek mësimdhënia por tek letrat. Kolegji “Qiriazi” i mëshon shumë cilësisë në mësimdhënie ndryshe nga të tjerat. Ndoshta kjo për faktin që janë trashëguar baza të forta. Kohët e fundit ne jemi përpjekur që të kemi një moshë më të re në stafin akademik sepse besoj fort që të jesh në përafërsi me moshën që studion je më afër ideve dhe qasjeve të tyre.

Kolegji Universitar Qiriazi (Foto Facebook)

Kolegji Universitar Qiriazi (Foto Facebook)

CMG: Kuptova prej jush se tendenca për të marrë  staf e pedagogë të rinj, çon ujë në mullirin e marrëdhënieve të mira reciproke me studentet. Mirëpo a mund të më thoni si ndihen studentët tuaj në atë ambjent universitar?

Gjovalin Gjeloshi: Përgjigjen e saktë e japin studentët, por unë do të jap mendimin tim. Përgjatë 100 viteve atë shkollë e kanë cilësuar si fanar ndriçues të Shqipërisë. Mbivleresimi ka qenë si “Fole e Artë”

Është merita e themeluese që ky vend të jetë larg zhurmës dhe i rrethuar nga natyra. Kjo i nxit të rinjtë që të studiojnë me të qetë dhe më të lumtur. Ka qenë me fat vendodhja e këtij univeristeti. Rëndësi të madhe kanë edhe konviktet që u rindërtuan për të rinjtë. Ne jemi përpjekur që të kemi marrëveshje të forta me univeristete të huaja me përvoja të përparuara.

CMG: A ka pasur ky universitet historik bashkëpunime në kohë të ndryshme ?

Gjovalin Gjeloshi: Një prej objektivave më të rëndësishme të Kolegjit ka qenë “pasja e shokëve të mirë” në rrugëtimin e tij drejt konsolidimit të funksionimit akademik e institucional. Këta partnerë, përveçse brenda vendit, i ka kërkuar edhe më larg. Me një numër universitetesh në Europë dhe në rajon janë lidhur kontrata e marrëveshje bashkëpunimi për një sërë çështjesh.  Janë synuar universitete me programe të përafërta studimesh e deri edhe me histori të ngjashme.

Universitete në Austri, Gjermani, Kroaci, Itali e Azerbajxhan, por edhe në Shkup e Prishtinë, janë “universitete mike” të Kolegjit Universitar “Qiriazi”. Ndër to mund të përmendim Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Burgenland (Fachhochschule Burgenland), në Austri. I themeluar në vitin 1993, programet e para të studimit i kishte për Ekonomi Ndërkombëtare, Teknologji Ndërtimi si dhe Menaxhim Biznesi. Në vijimësi ky universitet ka hapur edhe një sërë programesh Bachelor dhe Master, në drejtime si: Ekonomi, Teknologji Informacioni dhe Komunikacioni, Shkenca Mjedisore, Shëndetësi dhe Shkenca Sociale.

Universiteti “MODUL” i Vjenës është një universitet privat ndërkombëtar në Austri që ofron programe studimi në gjuhën angleze për një trupë studentore ndërkombëtare. Universiteti “Modul” është themeluar mbi bazën e Kolegjit të Turizmit, i cili është hapur për herë të parë në vitin 1908 dhe ka një traditë të hershme në fushën e turizmit dhe të mikpritjes në botë. “MODUL” mori statusin e universitetit në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë ofron programe studimi në Bachelor, Master dhe Doktoraturë në drejtime si: Menaxhim Ndërkombëtar, Punë Publike (qeverisje publike), Zhvillim i Qëndrueshëm, Menaxhim Hoteleri dhe Turizëm.

Gjithashtu, “Qiriazi” ka pasur bashkëpunime  edhe me Universitetin “La Sapienza” në Romë, Universitetin “Jaen” në Andaluzi, Spanjë;  Kolegjin Universitar IPE, në Bari të Italisë etj.

Ndër universitetet shqiptare mund të përmendim Universitetin Politeknik të Tiranës, me të cilin Kolegji Universitar “Qiriazi” ka një kontratë bashkëpunimi pa afat. Albanian University, Universiteti Medhetar i Shqipërisë, Universiteti Winsdom, Universiteti Europian i Tiranës etj, me të cilat shkëmbehet përvoja, bëhen organizime të aktiviteteve shkencore të përbashkëta, shkëmbehen lektorë të disiplinave të ndryshme, por në programe të përafërta etj. Por kontrata më domethënëse e bashkëpunimit, krahasuar me të gjitha universitetet e tjera, mbetet ajo me Universitetin Bujqësor të Tiranës, të ndërtuara të të njëjtin kampus.

Nga veprimtaritia e Universitetit Qiriazi (Foto nga Universiteti)

Nga veprimtaritia e Universitetit Qiriazi (Foto nga Universiteti)

CMG: Të kthehemi te libri juaj, që në ambientet e universitetit kanë filluar ta pagëzojnë si “pasaporta” e këtij Kolegji dhe se ky libër i ka njohur “me disa të  vërteta që nuk i dinim më parë. Cili eshte mendimi juaj?

Gjovalin Gjeloshi: Unë dua të theksoj se nëse një libër nuk pasqyron disa të vërteta kurrë mos u botoftë dhe nëse botohet nëse nuk ka të vërteta, kurrë mos u lexoftë. Unë solla një histori, e cila i mungonte historisë. Është hera e parë që shkruhet në kontekstin e drejtpërdrejtë të Institutit Femëror “Qiriazi”. Ndaj, mendoj që po e quajnë si pasaportë. Kolegji e ka emrin, por kur merr pasaportën paraqitesh kudo me këtë dokument.

CMG: Pse e keni quajtur universitetin "Fole Grishëse"?

Gjovalin Gjeloshi: E quajtën në fillimet e veta “Fole Kombëtare”. Natyrisht kohët kanë kaluar e ndryshuar, sepse “kombëtare”, në një kuptim, është çdo shkollë që funksionon në territorin e Shqipërisë. Tani, pasardhësen e “Folesë Kombëtare” do ta emërtoja “Fole grishëse”, për të treguar se ky vend vetëm të nxit e të fton ta shohësh.

Qyshëse  u ndërtua kjo godinë në Kodër-Kamëz, binte në sy veçanësia e saj, jo vetëm për arkitekturën (klasike e moderne), por më tepër për vendin që kishin zgjedhur themeluesit, për të ndërtuar Institutin Femëror. Çdo vizitor nuk mund t’u shmangej emocioneve dhe askush nuk largohej prej Institutit, pa thënë apo shkruar diçka. Ky vend ishte qysh atëhere grishës…

I ndërtuar në mes të një pyllnaje e shkurrishteje natyrale, kodra e kampusit iu nënshtrua edhe një “selitjeje” nga dora e njeriut. Gjelbërim-ajër i pastër-dritë dhe diell-ambjente çlodhëse dhe argëtuese. Me plusminuset e veta, të ndodhura gjatë viteve, ky vend është grishës edhe sot, kur vetë qyteti i Tiranës apo territore të tjera, po i pakësojnë sipërfaqet gjelbëruese dhe kujdesi për pastërtinë e ambjentit ka rënë. Godina 95 vjeçare, e hijshme dhe krenare, u bën hije të gjitha godinave të tjera që formojnë kampusin e përbashkët Universitet Bujqësor-Kolegj Universitar, edhe pse shumë prej tyre janë ndërtuar e po ndërtohen vitet e fundit.

“Instituti ka zgjedhur një pozitë të bukur natyrore, thoshte që atëhere  një prej ministrave të arsimit, larg zhurmave të botës e larg qendrave të frikshme të një jete pseudomoderne…”. Sot kjo pozitë merr edhe më tepër vlera: larg ambjenteve të ndotura, larg një qyteti të madh ku shfryjnë përditë skapamentot e qindra-mijëra makinave, ku vendin e gjelbërimit e zënë qiellgërvishtësit e në vend të pemëve mbillet vetëm hekur e beton. Afër magjistralit të rrugës kryesore që lidh të gjithë Veriun e Shqipërisë, por edhe Durrësin, Kavajën apo Lushnjën e Fierin dhe mbërrin këtu pa qenë nevoja ta provosh trafikun e rënduar të Tiranës në çdo orë të ditës.

Kolegji Universitar “Qiriazi” bashkë më Universitetin Bujqësor, gëzojnë njërin prej territoreve më të bukura e më të gjelbëruara, që mund të kenë të gjitha universitetet e vendit, shtetërore e private. Bukuritë dhe funksionet e kampusit janë shtuar ndjeshëm më 2022, me ndërtimin e disa godinave të akomodimit të studentëve, në vendin ku ishin konviktet e vjetra e të rrënuara prej kohës e prej shpërdorimeve. Është një ambjent që të çlodh pas punës e mësimit dhe që të nxit të bësh diçka më shumë se programi mësimor.

Intervistoi Megi Latifi