Tetë ambulanca të reja, Rama: Urgjenca Kombëtare është kthyer në repart ekselence
2023-02-02 11:38:45

Rama dhe Manastirliu (Foto RTSH)

Rama dhe Manastirliu (Foto RTSH)

Urgjenca Kombëtare tashmë është kthyer në një repart ekselence të shërbimit shëndetësor shqiptar, deklaroi kryeministri Edi Rama, ndërsa inspektoi së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, flotën e re të autoambulancave që i janë shtuar Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.  

“Nga një karakatinë, sot Urgjenca Kombëtare është kthyer në një repart ekselence i shërbimit shëndetësor shqiptar, ku vazhdojnë investimet dhe përmirësimet duke synuar papushim optimalen, shërbimin për qytetarët në nevojë për kujdes të menjëhershëm shëndetësor”,- deklaroi kryeministri Rama, citon “RTSH”.  

Ministrja Manastirliu deklaroi se autoambulancat janë të pajisura me të gjitha aparaturat e domosdoshme. Sipas saj, nga viti 2018 deri tani numri i autoambulancave të reja ka shkuar në 110.  

“Ne kemi shtuar flotën tonë të autoambulancave në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore me 8 njësi të reja. Ato pritet të bëhen operacionale, duke rritur kështu shërbimin ndaj qytetarëve. Autoambulancat janë të tipit C, të pajisura me të gjitha aparaturat. Prej 2018-s deri tani janë 110 autoambulanca të reja, kemi 127 stacione në të gjithë vendin. Kemi përgjysmuar kohën e mbërritjes në vendngjarje. Kjo gjë ka rritur besimin te qytetarët”,- tha ministrja.  

Sipas saj, me buxhetin e vitin 2023 do të zgjerohet flota e autoambulancave dhe do të fuqizohen spitalet dhe postacionet në vijën bregdetare. (Elona)