Wu Min, kryetrajnerja e ekipit kombëtar të wushu-së të Gjermanisë
2023-01-30 14:26:05

Wu Min është kryetrajnere e ekipit kombëtar gjerman të wushu-së (në gjuhën kineze wushu do të thotë "art marcial" ose "arti i luftimit"). Nën drejtimin e saj, gjithnjë e më shumë ushtrues gjermanë të arteve marciale po konkurrojnë në arenën ndërkombëtare. Ajo krijoi edhe shkollën e parë në Gjermani që ndërthur mësimin e wushu-së dhe të gjuhës kineze. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, znj. Wu u shpreh se artet marciale, që janë një ndër thesaret më të çmuara të kulturës tradicionale kineze, po shërbejnë si një urë që nxit shkëmbimet ndërmjet Kinës e Gjermanisë.

Foto:CMG

Foto:CMG

Foto:CMG

Foto:CMG

Para se të emigronte në Gjermani në vitin 1998, Wu Min ishte anëtare e ekipit profesionist të wushu-së të qytetit Shangai. Me rekomandimin e miqve, ajo nisi të punonte si trajnere në një klub të wushu-së në Berlin.

Me rritjen e famës së saj, në vitin 2003, Shoqata e Wushu-së e Gjermanisë e caktoi Wu Min-in kryetrajnere të ekipit kombëtar, detyrë të cilën ajo vijon ta mbajë deri tani. Shoqata, e krijuar në vitin 1981, pas zhvillimit mbi 40-vjeçar, tani ka mbi 100 klube dhe ekipe antëare.

Në kampionatet rajonale ose kombëtare të wushu-së që mbahen çdo vit në Gjermani, qindra pjesëmarrës konkurrojnë për të fituar çmime në disiplina si ushtrimet e rregullta, sanda (luftimi i lirë), taiji etj., si për të rinj, ashtu edhe për të rritur. Pjesëmarrësit përdorin shpatat, pallat, heshtat, çomangat ose thjesht grushtet, duke mahnitur shikuesit me bukurinë e wushu-së kineze. Sipas Wu Min-it, përmasat e kampionateve të wushu-së në Gjermani tani janë bërë shumë të mëdha, duke u rritur së bashku me promovimin e wushu-së jashtë Kinës.

Foto:CMG

Foto:CMG

Në Kampionatin e 15-të Botëror të Wushu-së që u zhvillua në Shangai në tetorin e vitit 2018, ekipi kombëtar i Gjermanisë, i drejtuar nga Wu Min-i, zuri vendin e tretë për meshkuj dhe vendin e gjashtë për femra në boksin tradicional, duke fituar kështu medaljen e parë për këtë ekip.

Wu Min-i u tha gazetarëve të CMG-së se shumë të moshuar gjermanë nuk kanë qenë në Kinë dhe nuk dinë shumë për Kinën. Por, pas mësimit të wushu-së, atyre u ka lindur interes i madh për gjuhën dhe kulturën kineze. “Disa kursantë mbi 70-vjeçarë, e madje edhe 80 vjeç, që ndihen më mirë nga ana fizike e psikologjike gjatë ushtrimit të wushu-së, fillojnë të mësojnë gjuhën kineze dhe duan të më shoqërojnë për pjesëmarrje në disa kampionate në Kinë. Si një cicerone, unë shërbej si udhërrëfyese e tyre në vizitat nëpër Kinë. Çdo herë janë shumë e emocionuar, sepse përveç pjesëmarrjes dhe fitores në konkurrim, ata njohin më mirë qytetërimin e larmishëm kinez, gjë që është kuptimplotë”, tha znj. Wu.

Në vitin 2018, Wu Min-i krijoi shkollën e parë në Europë që jep çdo fundjavë kurset e gjuhës kineze dhe wushu-së, për të ndihmuar fëmijët e emigrantëve kinezë në Gjermani ose adoleshentët gjermanë të mësojnë gjuhën kineze dhe kulturën tradicionale kineze. Tani, numri i nxënësve të regjistruar në këtë shkollë ka arritur në më shumë se 100.

Foto:CMG

Foto:CMG

Promovimi i wushu-së është bërë karriera e jetës së Wu Min-it. “Do të përpiqem të bëj sa mundem për t’i njohur më shumë europianët me kulturën tradicionale kineze dhe për të nxitur më shumë të rinj në Kinë dhe Gjermani të marrin pjesë në shkëmbimet kulturore e njerëzore ndërmjet të dy vendeve”, thekson ajo.