Shqipëria në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, ratifikohet marrëveshja
2023-01-20 17:21:40

Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme ratifikoi marrëveshjen me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes, Geraldina Prodani, bëri të ditur se Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së bazohet në solidaritet, që do të thotë se, kur godet një fatkeqësi, shtetet e tjera mund të ofrojnë ndihmë, përcjell “ATSH”.

“Kjo marrëveshje është firmosur më 8 nëntor 2022, ku Shqipëria është bërë zyrtarisht shtet pjesëmarrës i këtij mekanizmi. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë mekanizëm të BE-së do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes civile për të gjitha llojet e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga dora e njeriut, kryesisht në lehtësimin e koordinimit të përgjigjes, marrjes dhe dhënies së asistencës ndërkombëtare dhe elementët e tjerë që janë pjesë e këtij mekanizmi”, u shpreh Prodani.

Sipas saj, kjo do të forcojë kapacitetet e Shqipërisë në gatishmëri dhe përgjigje. (Irma)