Kryeministrja e Zelandës së Re njofton dorëheqjen
2023-01-20 17:51:03

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, njoftoi të enjten se do të tërhiqet si kryeministre dhe udhëheqëse e Partisë Laburiste në shkurt dhe nuk do të kërkojë rizgjedhje këtë vit.

Dita e fundit e Ardernit si kryeministre është 7 shkurti. Dorëheqja e saj do të hyjë në fuqi me emërimin e një kryeministri të ri.

Ardern tha, pas pesë vitesh e gjysmë të rolit udhëheqës të lartë, se ajo nuk mund të vazhdonte më për një vit apo mandat tjetër, pas analizimit të kujdesshëm të situatës, shkruan “Xinhua”.

Të dielën pritet të ketë një votim të grupit parlamentar për të zgjedhur një udhëheqës të ri, thuhet në një deklaratë të qeverisë.

“Të jesh kryeministre ka qenë nderi më i madh i jetës sime”,- tha Ardern, duke përmendur arritjen e kabinetit të saj në zbutjen e varfërisë së fëmijëve, si dhe rritjen e mbështetjes për mirëqenien dhe stokun e banesave publike.

Zgjedhjet e përgjithshme të Zelandës së Re  do të mbahen më 14 tetor 2023, njoftoi Ardern, duke shtuar se ekipi laburist është jashtëzakonisht i vendosur për të garuar në zgjedhjet e ardhshme.  (Irma)