Organizata Botërore e Turizmit: Rihapja e Kinës, nxitje për turizmin global
2023-01-19 22:07:14

Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) është optimiste rreth sektorit të turizmit në vitin 2023 dhe beson se rihapja e Kinës do t’i japë mëkëmbjes dhe rritjes së turizmit botëror një shtytje shumë të nevojshme.

 

"Heqja e kufizimeve të udhëtimit lidhur me COVID-19 në Kinë është një hap i rëndësishëm dhe shumë i mirëpritur për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit në Azi e Paqësor dhe në mbarë botën," shkroi Zurab Pololikashvili, sekretar i përgjithshëm i UNWTO-së, në një përgjigje për CGTN-in të mërkurën.


Më 8 janar, Kina lehtësoi më tej kufizimet e vendosura për përballimin e COVID-19 mbi fluturimet ndërkombëtare të udhëtarëve, një masë që pritet të forcojë ndjeshëm turizmin global.

 

Pololikashvili i tha CGTN-it se udhëtarët kinezë do të ofrojnë nxitje për ekonominë botërore në dobësim.

 

Ai përmendi të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit, që tregonin se, në vitet përpara përhapjes së COVID-19, Kina ishte burimi turistik më i madh në botë për sa u përket vëllimit dhe shpenzimeve.

 

Kina regjistroi 154 milionë udhëtime në destinacione jashtë vendit në vitin 2019, me shpenzime që arritën në 254.6 miliardë dollarë amerikanë, që zinin 17 për qind të të gjitha shpenzimeve për turizmin ndërkombëtarisht. Në të njëjtën kohë, Kina ishte destinacioni i katërt më i vizituar para pandemisë në vitin 2019, me 65.7 milionë turistë.