foto/VCG
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria kineze e Tregtisë të mërkurën, vitin e kaluar vlera e përdorimit real të investimeve të huaja në Kinë arriti në 1.232.68 miliardë juanë, 6.3 % më shumë se më 2021 në bazë të krahasueshme, duke ruajtur rritjen e qëndrueshme. Kohët e fundit, Kina ka nxitur masa të reja për të tërhequr investimet e huaja, duke inkurajuar kompanitë me investime të huaja të krijojnë qendra kërkimi-zhvillimi, duke forcuar shkëmbimet e bashkëpunimin ndërkombëtar në teknologji dhe duke tërhequr investimet e huaja për të nxitur zhvillimin cilësor.
Të dhënat e vitit 2022 tregojnë se struktura e tërheqjes së investimeve të huaja në Kinë vazhdoi të optimizohet. Vlera e përdorimit real të investimeve të huaja në sektorin e prodhimit u rrit 46.1 % në krahasim me vitin 2021, duke zënë 26.3 % të vëllimit të përgjithshëm në mbarë vendin. Përdorimi real i investimeve të huaja në sektorin e teknologjisë së lartë u rrit 28.3 %, duke përbërë 36.1 % të vëllimit të përgjithshëm, me një rritje 7.1 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2021. Në të njëjtën kohë, investimet nga burimet kryesore në përgjithësi u shtuan. Investimet nga vendet e BE-së, të nismës “Një brez, një rrugë” dhe të ASEAN-it u rritën përkatësisht me 92.2%, 17.2% dhe 8.2%. Në rajonet qendrore e perëndimore investimet e huaja u rritën në mënyrë të qëndrueshme. Shanxi, Henan dhe provinca të tjera kanë pasur shtim të konsiderueshëm në tërheqjen e investimeve të huaja.
foto/CMG
Ndihmësministri i Tregtisë Chen Chunjiang theksoi se në vitin 2023, do të promovohen më tej stabilizimi i inventarit, rritja e sasisë dhe përmirësimi i cilësisë së investimeve të huaja.
“E para është zgjerimi i hyrjes në treg. Do të promovohet zvogëlimi racional i ‘listës negative’ të investimeve të huaja dhe do të ulet më tej pragu e hyrjes së këtyre investimeve, si edhe do të zgjerohet hapja e sektorit modern të shërbimeve. E dyta është forcimi i mbështetjes me politika dhe zbatimi i versionit të vitit 2022 të ‘Listës së industrive ku nxiten investimet e huaja’. E treta është rritja e forcës së tërheqjes së investimeve dhe promovimi i diversifikimit të burimeve të investimeve dhe subjekteve investuese. E katërta është përmirësimi i mjedisit të investimeve dhe zbatimi i ‘Ligjit për investimet e huaja’, për të siguruar që ndërmarrjet me investime të huaja të futen në treg në bazë të barabartë, të marrin pjesë në konkurrencën e tregut në mënyrë të drejtë dhe të shfrytëzojnë plotësisht mekanizmin e ankesave të ndërmarrjeve me financim të huaj për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshme të investitorëve të huaj,” tha Chen.
Së fundmi, disa departamente të Kinës kanë publikuar “Masat për nxitjen e mëtejshme të investimeve të huaja për krijimin e qendrave të kërkim-zhvillimit”, duke propozuar 16 masa politikash, si inkurajimi i institucioneve financiare për të kryer risi tekniko-shkencore lidhur me qendrat e kërkim-zhvillimit me financim të huaj. Zv.drejtori i Departamentit të Komercializimit të Kërkimeve dhe Risive Rajonale në Ministrinë e Shkencës dhe Teknologjisë Wu Jiaxi bëri të ditur se në Kinë një numër të madh qendrash kërkim-zhvillimi me financim të huaj janë rritur me shpejtësi, veçanërisht në Pekin, Shangai dhe në tre vendet kryesore të qendrave të risive shkencore e teknologjike në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao.
foto/VCG
“Qendrat e kërkim-zhvillimit me financim të huaj nuk janë vetëm një platformë efektive për ndërmarrjet me investime të huaja për të hyrë shpejt në tregun kinez dhe për të marrë pjesë thellësisht në aktivitetet e kërkim-zhvillimit dhe inovacionit të Kinës, por edhe pika të rëndësishme lidhjeje për ndërmarrjet vendase për t'u integruar në rrjetin global të inovacionit. Vitet e fundit në Kinë janë përqendruar një grup qendrash kërkim-zhvillimi me financim të huaj të nivelit të lartë, të cilat jo vetëm që përmirësojnë shumë nivelin e inovacionit dhe zhvillimit të ndërmarrjeve me investime të huaja, por edhe përmirësojnë hapjen e sistemit të inovacionit shkencor e teknologjik të Kinës dhe promovojnë përshpejtimin e integrimit të Kinës në zinxhirët globalë të inovacionit dhe industrisë," theksoi Wu Jiaxi.
"Masat" e publikuara këtë herë përqendrohen në mbështetjen e inovacionit shkencor e teknologjik, përmirësimin e lehtësisë së kërkim-zhvillimit, inkurajimin e tërheqjes së talenteve nga jashtë Kinës dhe ngritjen e nivelit të mbrojtjes së pronësisë intelektuale, në mënyrë që të krijohet një mjedis më i mirë zhvillimi për qendrat e kërkim-zhvillimit me financim të huaj.
"Gjatë procesit të hartimit dhe studimit të politikave, qendrat e kërkim-zhvillimit me financim të huaj parashtrojnë disa kërkesa të përbashkëta zhvillimi, të tilla si përmirësimi i komoditetit të punës së personelit të huaj, mbështetja financiare, shtimi i mundësive për të marrë pjesë në projektet qeveritare dhe forcimi i mbrojtjes së pronësisë intelektuale. Për këto kërkesa të përbashkëta, ‘Masat për nxitjen e mëtejshme të investimeve të huaja për krijimin e qendrave të kërkim-zhvillimit’ nxitin lejimin e ekipeve të ndryshme të aplikojnë për leje pune dhe leje qëndrimi të lidhura me punën, dhe ofrojnë lehtësira të ndryshme, nxitin lehtësimin e mbledhjes së fondeve ndërkufitare dhe pagesat për talentet e huaja; si edhe sigurojnë mbështetje financiare për inovacionin shkencor dhe teknologjik”, shtoi ndihmësministri i Tregtisë i Kinës Chen Chunjiang. (Fang Xiaoyu/Artan)