Priten reshje të dendura shiu, Peleshi: Të gjitha shtabet janë në gatishmëri
2023-01-18 16:26:55

Ministri Niko Peleshi (Foto RTSH)

Ministri Niko Peleshi (Foto RTSH)

Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura shiu, që përgjatë ditëve në vijim do të shoqërohen me ulje temperaturash dhe ngrica. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një deklaratë për mediat ka informuar mbi masat e marra si dhe çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme, bën të ditur “RTSH”.

Sipas Peleshit, pritet që më problematike situata të jetë në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër e Lezhë, ku mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Ministri theksoi se të gjitha shtabet e emergjencave civile janë në gatishmëri dhe u bëri thirrje qytetarëve që të informohen në lidhje me zonat më të rrezikuara.

“Sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në zonën e Alpeve. Deri tani nga qarqet nuk kemi situata problematike, kuotat e lumenjve janë deri tani normale. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Të gjitha shtabet janë në gatishmëri, janë marrë masat dhe bashkitë kanë punuar për parandalimin e përmbytjeve. Gjithsesi, një sasi e jashtëzakonshme reshjesh në disa zona mund të na përballë me emergjenca të pashmangshme. Priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë dhe intensive në qarqet e tjera të vendit. Në Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër pritet të ketë edhe shtrëngata”, - tha Peleshi.

Ministri shtoi se në det do të vijojnë të operojnë normalisht anijet e transportit ndërkombëtar, duke shtuar se mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit duhet të marrin masa shtesë sigurie. (Elona)