Kinë, rastet e rënda të valës së fundit të COVID-19 e kanë arritur tashmë kulmin
2023-01-16 21:20:10

Personeli mjekësor duke punuar në repartin e terapisë nënintensive respiratore në Spitalin e Tretë të Universitetit të Pekinit, Kinë, 3 janar 2023. / CFP

Si numri i rasteve të rënda të COVID-19, ashtu edhe i shtrimeve në spital arritën kulmin më 5 janar, bëri të ditur Jiao Yahui, kreu i Zyrës së Administrimit Mjekësor në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës në një konferencë shtypi të shtunën.

Sipas zyrtarëve në konferencën e shtypit, pjesa më e madhe e rasteve të rënda dhe vdekjeve lidhur me COVID kanë qenë te të moshuarit, shumica e të cilëve kanë pasur probleme të tjera shëndetësore.

Numri i rasteve të rënda në spitale ishte 105 000 më 12 janar, nga kulmi prej 128 000 në ditë më 5 janar.

Mosha mesatare e të sëmurëve rëndë është 75.5 vjeç, theksoi Jiao, duke shtuar se nga rastet e rënda në spitale më 12 janar, 92.8 për qind kishin probleme bazë shëndetësore që u ndërlikuan nga COVID-19.

Gjithsej 59 938 vdekje lidhur me COVID-19 ndodhën në institucionet mjekësore anembanë vendit nga 8 dhjetori 2022 deri më 12 janar 2023, tha Jiao.

Ajo shtoi se 5 503 veta vdiqën nga probleme me rrugët e frymëmarrjes të shkaktuara nga COVID-19 dhe 54 435 nga probleme bazë shëndetësore të komplikuara nga COVID-19.

Grafiku nga CGTN

Grafiku nga CGTN

Mosha mesatare e atyre që humbën jetën nga COVID-19 ishte 80.3 vjeç, rreth 90.1 për qind nga të cilët të moshës 65 vjeç e sipër, tha Jiao.

Ajo vuri në dukje se më tepër se 90 për qind e rasteve të vdekjeve përfshinin probleme shëndetësore bazë, si sëmundje kardiovaskulare, tumore të avancuara, sëmundje cerebrovaskulare, të rrugëve të frymëmarrjes e të metabolizmit, si edhe pamjaftueshmëri të veshkave.

Jiao tha gjithashtu se numri i vizitave që kërkonin trajtim në klinikat e etheve anembanë vendit arriti kulmin më 23 dhjetor.

Numri i të sëmurëve me ethe ra në 477 000 më 12 janar, me një rënie prej 83.3 % nga kulmi ditor, i shënuar në 23 dhjetor prej rreth 2.87 milionë, bëri të ditur ajo.

Numri i atyre që shkojnë në klinikat e etheve apo sallat e konsultave anembanë vendit ka rënë, si në rajonet urbane, ashtu edhe rurale, shtoi Jiao.

Sipas saj, numri i pacientëve në repartet e urgjencës ra në 1.09 milion më 12 janar, 28.4 për qind më pas se shifra më e lartë ditore, që është rreth 1.53 milionë.

Ndërsa zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë Mi Feng tha se në fazën tjetër do të bëhen përpjekje për të forcuar mbikëqyrjen shëndetësore për të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe pacientët me probleme të tjera shëndetësore.

Grafiku nga CGTN

Grafiku nga CGTN

Zëdhënësi bëri thirrje për të siguruar kanale të lirshme për transferimin e rasteve kritike, për të trajtuar pacientët duke integruar mjekësinë kineze e mjekësinë perëndimore dhe për të rritur më tej vaksinimin e të moshuarve. Ai tha gjithashtu se duhet të forcohet kapaciteti i shërbimeve mjekësore në zonat rurale.

Kina ka ndarë informacionin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) dhe vendet e tjera që nga fillimi i epidemisë, tha të shtunën Ma Xiaowei, ministri i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë gjatë bisedës telefonike me drejtorin e përgjithshëm të OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se Kina do të vazhdojë ta mbështesë OBSh-në në luftën kundër COVID-19. (Artan)