Kina thekson reagimin ndaj Covid në shtëpitë e të moshuarve
2023-01-14 20:02:03

nga VCG

nga VCG

Autoritetet kineze po forcojnë masat e parandalimit dhe kontrollit të Covid-19 në shtëpitë e të moshuarve dhe po mobilizojnë përgjigjen në nivel komuniteti, njoftuan zyrtarët, citon “Xinhua”.

Udhëzimet e reja synojnë parandalimin dhe kontrollin e infeksionit të ri të koronavirusit në shtëpitë e të moshuarve, duke intensifikuar kontrollet në institucione të tilla më shumë sesa në popullatën e përgjithshme, tha Li Banghua, zyrtar në Ministrinë e Çështjeve Civile (MCA), në një konferencë për shtyp.

Li tha se udhëzimet përcaktojnë se monitorimi shëndetësor duhet të kryhet të paktën dy herë në ditë në shtëpitë e të moshuarve, ndërsa testet e acidit nukleik ose antigjenit duhet të kryhen dy herë në javë, duke shtuar se duhet të garantohet aksesi në shërbimet e kujdesit mjekësor.

Ka më shumë se 40.000 institucione të tilla në Kinë, që strehojnë më shumë se 2.2 milionë të moshuar.

Zyrtarët kërkuan gjithashtu përpjekje për të përmirësuar sistemin e reagimit të komunitetit, duke theksuar rëndësinë e organizatave të qeverisjes bazë dhe qendrave shëndetësore të komunitetit.

Duhet të zhvillohen metoda të reja për të lehtësuar koordinimin midis komuniteteve dhe organizatave sociale, punonjësve socialë, vullnetarëve dhe bamirësive, deklaroi Li Jian, po ashtu zyrtar i MCA-së, duke shtuar se më shumë se 90 për qind e komiteteve rezidente urbane dhe rurale kanë krijuar divizione të shëndetit publik.

Për të lehtësuar shpërndarjen e shpejtë të ilaçeve për ata që kanë nevojë, ofruesve të shërbimeve të dërgesës së korrierëve u është kërkuar që të trajtojnë me prioritet pakot me materiale mjekësore, tha Bian Zuodong, zyrtar në Zyrën Shtetërore të Postës. (Irma)