Shkalla e tregtisë së jashtme kineze tejkalon 40 trilion juanë për herë të parë
2023-01-14 17:33:21

Vlera e përgjithshme e tregtisë së jashtme kineze tejkalon 40 trilion juanë për herë të parë. Kina ka ruajtur statusin e tregtarit më të madh në botë të mallrave për 6 vite radhazi. Rezultati i tregtisë së jashtme të Kinës në vitin 2022, i publikuar më 13 janar, ka rritur më tej besimin e komunitetit ndërkombëtar tek ekonomia e Kinës.

Sipas të dhënave statistikore të publikuara, gjatë vitit 2022, vlera e përgjithshme e tregtisë së mallrave të import-eksportit të Kinës arriti në 42.07 trilionë juanë (afro 6.2 trilionë dollarë amerikanë), duke u rritur me 7.7 për qind në krahasim me vitin 2021. Nën rritjen e rrezikut të rënies së ekonomisë globale, ngadalësimin e vazhdueshëm të kërkesave të jashtme dhe ndikimin e epidemisë në tërë botën, tregtia e jashtme e Kinës kapërceu shumë vështirësi dhe shënoi një rekord të ri të rritjes në bazë të shifrave të larta të vitit 2021. Kjo shfaqi rezistencën kundër rrezikut dhe vitalitetin e pafund të tregtisë së jashtme të Kinës.

Nga vjen qëndrueshmëria dhe vitaliteti i tregtisë së jashtme të Kinës? Sipas të dhënave të eksportit, Kina kapi me forcë dy elementë kyç: "tregun" dhe "produktin". Për shembull, vitet e fundit, sektori i automobilave me energji të re në Kinë është zhvilluar fuqishëm, duke rritur ndjeshëm edhe konkurrencën e saj  ndërkombëtare. Sipas të dhënave statistikore nga Shoqata e Prodhuesve të Automjeteve të Kinës, nga janari deri në nëntorin e vitit 2022, kompanitë kineze eksportuan 593 mijë automobila me energji të re, duke dyfishuar rritjen nga viti në vit. 
Në vitin 2022, Kina forcoi dhe zgjeroi marrëdhëniet tregtare me partnerët kryesorë tregtarë si ASEAN-i, BE-ja etj. Eksporti i Kinës ndaj vendeve të nismës "Një brez, një rrugë" u rrit me 20 për qind.     
Në fushën e importit, tregu i madh potencial i kërkesës së brendshme të Kinës ofroi një mbështetje të fortë. Në 3 tremujorët e parë të vitit 2022, prodhimi i brendshëm bruto i Kinës arriti në mbi 87 trilionë juanë (afro 13 trilionë dollarë), duke u rritur 3 për qind nga viti në vit.

 

Deri tani, eksporti i Kinës ka arritur në 14.7 për qind të tregut ndërkombëtar, duke u renditur e para në botë për 14 vite radhazi. Në të njëjtën kohë, Kina është importuesja e dytë më e madhe në botë për 13 vite me radhë. Ky është një manifestim i konkurrencës gjithëpërfshirëse të tregtisë së jashtme të Kinës, që tregon gjithashtu edhe mbështetjen e konsumatorëve në mbarë botën. (Xu Guang)