Kina u kërkon ShBA-së dhe Japonisë që të ndalojnë krijimin e “armikut imagjinar”
2023-01-13 21:33:11

ShBA-ja e Japonia duhet që të heqin dorë nga mendësia e Luftës së Ftohtë e paragjykimet ideologjike, si edhe të ndalojnë krijimin e “armikut imagjinar” dhe futjen e mendësisë së “Luftës së Ftohtë të re” në rajonin e Azi-Paqësorit, për  të mos dëmtuar stabilitetin rajonal. Kështu u shpreh në një konferencë shtypi të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin lidhur me akuzat e paarsyeshme të bëra ndaj Kinës në deklaratën e përbashkët “2+2” të ShBA-së dhe Japonisë.

Foto: VCG


Sipas njoftimeve, ShBA-ja dhe Japonia publikuan një deklaratë të përbashkët pas takimit “2+2” të ministrave të mbrojtjes dhe të jashtëm të tyre, duke thënë se Kina është sfida më e madhe strategjike në Azi-Paqësor dhe duke e akuzuar Kinën mbi çështjet e Tajvanit, Hong-Kongut e Xinjiang-ut, problemin detar dhe çështje të tjera. 

 “Përmbajtjet lidhur me Kinën në Deklaratën ‘2+2’ nga ShBA-ja dhe Japonia janë plot me mendësi të Luftës së Ftohtë e shpifje ndaj Kinës dhe Kina e kundërshton fort një gjë të tillë. ShBA-ja dhe Japonia thonë se duan të nxitin paqen e sigurinë në Azi-Paqësor, por në fakt kërkojnë justifikim për militarizim dhe për forcimin e tyre ushtarak. Ato thonë se do të ruajnë lirinë dhe hapjen e rajonit, por në fakt kanë krijuar një ‘qark të vogël’ të mbyllur dhe përjashtimor, duke sjellë ndarje dhe konflikte. Ato thonë se duan të ruajnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, por në fakt shkelin parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare e normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera. Këto veprime janë sfida e vërtetë për paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale,” vuri në dukje zëdhënësi.

Wang theksoi më tej se Azi-Paqësori është një rajon me zhvillim paqësor dhe jo një arenë gjeopolitike. Vende e këtij rajoni mbështetin drejtësinë dhe kundërshtojnë hegjemoninë, mbështetin bashkëpunimin dhe kundërshtojnë konfrontimin, mbështetin multilateralizmin e vërtetë dhe kundërshtojnë "qarqet e vogla" që provokojnë kundërvënie ndërmjet palëve. (Li Huailiang/Artan)