Ministri i Jashtëm kinez do të vizitojë Afrikën nga 9 deri më 16 janar
2023-01-09 21:27:57

foto nga MPJ

foto nga VCG

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang do të vizitojë me ftesë Etiopinë, Gabonin, Angolën, Beninin, Egjiptin, Selinë e Bashkimit Afrikan dhe Selinë e Lidhjes së Shteteve Arabe nga 9 deri më 16 janar, njoftoi të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.

Vizita e Qin Gang-ut në Afrikë është udhëtimi i tij i parë jashtë vendit si ministër i jashtëm i Kinës, theksoi Wang, duke shtuar se ky është gjithashtu viti i 33-të radhas që Afrika është destinacioni i vizitës së parë vjetore të kryediplomatëve kinezë jashtë vendit.

Vazhdimi i kësaj tradite të bukur tregon se Kina i kushton rëndësi të madhe miqësisë tradicionale dhe zhvillimit të marrëdhënieve të saj me Afrikën, tha Wang.

Tani marrëdhëniet kino-afrikane po zhvillohen fuqishëm dhe kanë hyrë në një epokë të re të ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët të nivelit të lartë Kinë-Afrikë, shtoi ai.

Gjatë vizitës, Qin Gang-u do të takohet dhe do të zhvillojë bisedime të veçanta me udhëheqësit dhe ministrat e jashtëm të pesë vendeve, si edhe me kryetarin e Komisionit të Bashkimit Afrikan, për të shkëmbyer pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe, si edhe për çështje ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët, u shpreh Wang.

Duke vënë në dukje se Samiti i 1-rë Kinë-Shtetet Arabe nxiti hyrjen e marrëdhënieve kino-arabe në një epokë të re zhvillimi të gjithanshëm, zëdhënësi i diplomacisë kineze tha se Kina është e gatshme të punojë me vendet arabe për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët kino-arabe të orientuar drejt epokës së re. (Artan)