Në ditën e parë të vitit 2023, banorët e arkipelagut Çagos në qendër të Oqeanit Indian morën një lajm të mirë. Kryeministri i Mauricit Pravind Jugnauth shpalli se ka nisur bisedimet me Britaninë për sovranitetin e këtij arkipelagu. Kjo shënon nisjen zyrtare të procesit të kthimit të arkipelagut Çagos Mauricit.
Bashkësia ndërkombëtare shpreson shumë se pala britanike do të rifillojë sa më parë bisedimet edhe me Argjentinën mbi ishujt Malvine pas zgjidhjes së përkatësisë së arkipelagut Çagos, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një artikull të tij.
Britania është fuqia evropiane që ka pasur më shumë koloni. Historiani britanik Stuart Laycock zbuloi se, në faza të ndryshme historike, Britania ka pushtuar pothuajse 90 për qind të vendeve të botës. Pas Luftës së Dytë Botërore sistemi kolonialist perëndimor u shpërbë, por kolonializmi nuk është zhdukur ende. E ashtuquajtura “perandori ku dielli nuk perëndon kurrë” e dikurshme, qëndron ende në Çagos e Malvine, duke shkelur sovranitetin e vendeve të tjera dhe duke vijuar ëndrrën e kolonializmit, komentoi CMG-ja.
Arkipelagu Çagos është territori i vendit ishullor afrikan, Mauricit. Në vitin 1965, si kusht shtojcë për pavarësinë e Mauricit, Britania e ndau arkipelagun e Çagosit nga ky vend dhe e shndërroi në “territor britanik në Oqeanin Indian”, duke pretenduar se do ta kthente në kohën e duhur. Por gjatë mbi 50 vjetëve të mëvonshëm, pala britanike nuk ia ka kthyer këtë Çagosin Mauricit, madje i dha me qira ushtrisë amerikane ishullin më të madh të këtij arkipelagu, Diego Garcia, për të ndërtuar bazën më të madhe ushtarake në Oqeanin Indian.
Foto nga VCG
Në shkurt 2019, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konfirmoi se pushtimi nga Britania i arkipelagut Çagos është i paligjshëm. Po në maj të atij viti, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese votash një rezolutë, ku i kërkohet Britanisë t’ia kthejë Mauricit Çagosin brenda gjashtë muajve. Në janar 2021, Gjykata Ndërkombëtare për Ligjin Detar vendosi që Britania nuk ka sovranitet mbi arkipelagun Çagos dhe e dënoi Londrën për refuzimin e kthimit të këtij arkipelagu. Por pala britanike nuk e ka përfillur këtë vendim.
Vetëm në nëntorin e vjetshëm, nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare dhe të forcave të brendshme antikolonialiste, Britania u shpreh se do të zhvillojë bisedime me Mauricin mbi sovranitetin e arkipelagut Çagos, duke shpresuar të arrihet marrëveshje në fillim të këtij viti. Ky është një lajm i mirë, megjithëse ai është tre vjet më vonë se përfundimi i afatit të dhënë prej OKB-së.
Për sa i përket problemit të ishujve Malvine, rezolutat përkatëse të OKB-së janë të qarta dhe Britania nuk ka asnjë arsye të qëndrojë ende atje, komenton CMG-ja.
Në vitin 1965, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën 2065, ku problemi i ishujve Malvine përfshihet në kategorinë e “dekolonizimit”, duke i nxitur Britaninë e Argjentinën ta zgjidhin mosmarrëveshjen nëpërmjet bisedimeve. Në vitin 2016, Komisioni mbi Kufijtë e Platformës Kontinentale i Kombeve të Bashkuara vendosi që ishujt Malvine gjenden në ujërat territoriale detare të Argjentinës. Ndërkohë, Komiteti i Posaçëm për Dekolonizimin ka publikuar mbi 30 rezoluta për nxitjen e bisedimeve ndërmjet Britanisë e Argjentinës.
Kolonializmi është një plagë në historinë e qytetërimit njerëzor dhe në shekullin e 21-të, ai nuk duhet të ketë më vend për të ekzistuar, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)