CMG-ja: Shpresojmë për një pranverë ndryshe
2022-12-30 16:57:21

VCG

VCG

Disa kohë më parë, Shoqata e Gjuhëve e Gjermanisë shpalli që Zeitenwende (ndërrimi i epokës) është zgjedhur si fjala e vitit në Gjermani për 2022-shin. Është e vërtetë që 2022-shi është viti kur njerëzimi përballoi ndryshimet më të mëdha në 100 vjetët e fundit. Në këtë vit ka pasur momente të bukura e prekëse, si edhe ngjarje zemëruese e të hidhura.

 

2022-shi është viti i tretë i pandemisë së COVID-19. Disa ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus shprehu shpresën që vitin e ardhshëm do të shpallet që pandemia e COVID-19 nuk përbën më emergjencë shëndetësore globale. Faktet kanë provuar herë pas here që virusi nuk është zhdukur, por njerëzit po kërkojnë një mënyrë bashkëjetese me të.

 

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Vazhdueshëm Enriko Ceko u shpreh: “Në vitin 2022 Kina ka minimizuar me sukses rrezikun e pandemisë së COVID-19. Kyçi për këtë është përmirësimi i masave të kontrollit, rritja e numrit të të vaksinuarve dhe rregullimi efektiv i planeve të mjekimit.”

 

Kryetari i nderit i shoqatës “ChinaRo” të Rumanisë, Vicentiu Gheorghe, u shpreh: “Kina ka përmirësuar masat kundër epidemisë së COVID-19, çka ka krijuar më shumë lehtësi për shkëmbimet ndërkombëtare.”

 

Në shkurt dhe mars 2022 Pekini zhvilloi me sukses përkatësisht Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore dhe Lojërat e 13-ta Paralimpike Dimërore, të cilat i dhanë botës sinjalet e bashkimit, miqësisë dhe shpresës.

 

Ish-drejtori për çështjet europiane dhe ndërkombëtare i landit gjerman të Hesenit dhe këshilltari i lartë i Qendrës Ndërkombëtare për Nxitjen e Investimeve të Kinës, dr. Michael Borchmann, vuri në dukje: “Olimpiada dimërore e Pekinit, që u zhvillua në fillim të vitit, ende ka mbetur në kujtesën time. Kjo është një olimpiadë e vlerësuar lart nga presidenti i KON-it Thomas Bach dhe ishte një olimpiadë e gjelbër. Instalimet për njerëzit me aftësi të kufizuara fizike dhe mbajtja me kujdes parasysh e nevojave të këtyre njerëzve na kanë lënë përshtypje shumë të thella.”

 

Në fund të vitit 2022 Kupa e Botës e futbollit në Katar përfundoi me fitoren e ekipit kombëtar argjentinas. Ky ishte një botëror i suksesshëm dhe momentet e bukura kanë prekur shumë adhurues të futbollit.

 

Qytetari Naur u shpreh: “Jam shumë i kënaqur sot. Presim që të shohim trofeun e FIFA-s. Kemi ardhur për këtë dhe besoj që çdokush ndodhet këtu pikërisht për një gjë të tillë.”

 

Në fund të shkurtit shpërtheu konflikti Rusi-Ukrainë. Tensionet dhe trazirat ekonomike e shoqërore kanë sjellë luhatje të mëdha për njerëzit që janë mësuar me paqe. Për europianët, inflacioni dhe kriza energjetike janë të papritura dhe çdonjëri është ndikuar prej tyre.

 

Lyudmila Petkova, që punon në një restorant ushqimi të shpejtë në Bullgari, thotë: “Fatura e energjisë elektrike që paguam herën e fundit, ishte trefishi krahasuar me atë të së njëjtës periudhë në vitin e kaluar. Për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, edhe çmimet e të gjitha mallrave e ushqimeve, si edhe të produkteve tona, janë në rritje. Fatkeqësisht, nuk mund ta ngremë çmimin për kompensim, sepse kështu produktet tona nuk do të bliheshin dhe të ardhurat do të ishin në rënie të pandërprerë.”

 

Ndërsa një protestues austriak tha: “Është vërtet e vështirë për mua që të paguaj qiranë e apartamentit, sepse çmimet e gazit natyror dhe energjisë elektrike janë shumë të larta.”

 

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Vazhdueshëm, Enriko Ceko, u shpreh: “Në krahasim me periudhën e pandemisë, shpenzimet janë rritur shumë. Krahas kësaj, qytetarët e Europës Perëndimore po paguajnë më shumë për mallrat se për shërbimet.”

 

“Ndryshimet e botës, epokës dhe historisë po shpalosen në një mënyrë si kurrë më parë”. Kjo është analiza nga Kongresi i 20-të i PKK-së për gjendjen botërore. Unilaterizmi dhe çglobalizimi janë në rritje dhe trazirat gjeopolitike po intensifikohen. Por Kina gjithmonë është forca kryesore për ruajtjen e barazisë dhe të drejtësisë ndërkombëtare.

 

Profesori brazilian për marrëdhëniet ndërkombëtare, Antônio Lucena, u shpreh: “Paqëndrueshmëria globale ende do të vazhdojë, sepse po shohim polarizim, d.m.th. shpërndarja e fuqisë botërore po përjeton një proces ndryshimi.”

 

Ish-drejtori për çështjet europiane dhe ndërkombëtare i landit gjerman të Hesenit dhe këshilltari i lartë i Qendrës Ndërkombëtare për Nxitjen e Investimeve të Kinës, dr. Michael Borchmann, tha: “Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping në qershor ka marrë pjesë në samitin e BRICS-it, që është një dialog mes Brazilit, Indisë, Kinës, Afrikës së Jugut dhe Rusisë, të cilat janë ekonomitë e reja më të mëdha. Më 1 korrik Hong-Kongu festoi 25-vjetorin e çlirimit nga kolonializmi dhe të kthimit në atdhe. Kjo ka rëndësi të madhe për Kinën.”

 

Profesori i politikës ekonomike të Universitetit të Sao Paulos të Brazilit, Marcos Pires, thotë: “Nisma e Zhvillimit Global dhe Nisma e Sigurisë Globale të paraqitura nga Kina do të jenë platforma dhe korniza të rëndësishme për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, për përballimin e ndryshimeve klimatike, për realizimin e Agjendës për Zhvillim të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së dhe për realizimin e sigurisë së përgjithshme.”

 

VCG

VCG

Në shtator, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mori pjesë në mbledhjen e 22-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait që u zhvillua në Samarkand të Uzbekistanit. Në nëntor, kur u zhvilluan samiti i 17-të i G20-s në Bali të Indonezisë dhe mbledhja jozyrtare e udhëheqësve të APEC-ut në Bangkok të Tajlandës, bota hyri në “momentin aziatik”.

 

Presidenti indonezian Joko Widodo theksoi: “Rëndësia që iu kushtua (temës së samitit të G20-s) ka pasqyruar shpresat e bashkësisë ndërkombëtare te G20-a. Kina ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në  mëkëmbjen ekonomike globale. Kur vendet e mbarë botës të rifillojnë të përpiqen bashkërisht për bashkëpunim, unë shpresoj që Kina do të bëhet pjesë e modelit të ri të bashkëpunimit.”

 

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Tajlandezë, Mongkoi Bangprapa, u shpreh: “Fokusi i bashkësisë së fateve të përbashkëta të Azi-Paqësorit është ‘ndarja e përbashkët’, d.m.th. bashkëpunim, zhvillim dhe përparim i përbashkët. Përparimi i përbashkët është një propozim shumë i mirë dhe palët mund të diskutojnë në mënyrë të barabartë për bashkëpunimin, zhvillimin dhe suksesin e përbashkët.”

 

VCG

VCG

VCG

VCG

Sivjet është 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Gjermanisë. Në nëntor, kancelari gjerman Olaf Scholz bëri një vizitë në Kinë, që ishte vizita e parë e një lideri perëndimor në tre vjetët e fundit. Scholz me veprimin e vet konkret tregoi kundërshtimin ndaj teorisë së “shkëputjes” nga Kina. Në fillim të dhjetorit, presidenti i Këshillit Europian Charles Michel bëri një vizitë të suksesshme në Kinë.

 

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha: “Kancelari e ka shprehur shumë herë kundërshtimin ndaj ‘shkëputjes’ nga Kina. Ai e ka thënë qartas se Gjermania është pro multilaterizmit dhe jo për kundërvënien mes Lindjes dhe Perëndimit.”

 

Kryetari i Shoqatës Federale për Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë e Jashtme të Gjermanisë (BWA), Michael Schumann, thotë: “Hapja e Kinës dhe përgjegjësia ndërkombëtare e Kinës në qeverisjen globale duhet të vlerësohen lart nga tërë bota.”

 

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Vazhdueshëm Enriko Ceko u shpreh: “Në arenën ndërkombëtare, Kina ka zhvilluar aktivisht marrëdhënie miqësore me vendet e rajonet e ndryshme të botës, çka ka përmirësuar ndjeshëm mjedisin e përgjithshëm të bashkësisë ndërkombëtare.”

 

Më 2022, RCEP-i, marrëveshja tregtare më e madhe në botë që përfshin 2.27 miliardë njerëz dhe me një vëllim të përgjithshëm ekonomik 26 trilionë dollarë, hyri zyrtarisht në fuqi, duke dhënë sinjalin e fortë kundër unilateralizmit dhe proteksionizmit, duke shprehur mbështetjen për tregtinë e lirë dhe treginë shumëpalëshe. 2022-shi është 21-vjetori i hyrjes së Kinës në OBT. Në nëntor Kina zhvilloi Ekspozitën e 5-të Ndërkombëtare të Importit (CIIE).

 

VCG

VCG

Ish-drejtori për çështjet europiane dhe ndërkombëtare i landit gjerman të Hesenit dhe këshilltari i lartë i Qendrës Ndërkombëtare për Nxitjen e Investimeve të Kinës, dr. Michael Borchmann, thekson: “CIIE-ja e 5-të, që u zhvillua në nëntor, tërhoqi 145 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare, si edhe 2800 ndërmarrje nga 127 vende e rajone. Ky është shembulli më i mirë i hapjes së plotë të Kinës.”

 

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Vazhdueshëm, Enriko Ceko, vëren: “2022-shi për të gjitha vendet e botës është një vit i vështirë. Por në një fazë të tillë të vështirë, Kina ka realizuar me sukses menaxhimin shkencor e stabilitetin institucional dhe ka siguruar rritje ekonomike, duke kontrolluar përhapjen e pandemisë dhe duke dhënë kontribut për funksionimin e zinxhirit global të furnizimit.”

 

Në dhjetor u mbyll në Montreal të Kanadasë Konferenca e OKB-së për Diversitetin Biologjik, ku u arrit një marrëveshje me rëndësi historike, sipas së cilës do të mbrohen 30 % të tokës, zonave bregdetare dhe ujërave në zonat e brendshme brenda vitit 2030.

 

Këshilltari për çështjet globale Jeremy Rifkin thekson: “Tani problemi i parë i Tokës është ndryshimi klimatik. Ne tani ndodhemi në një proces zhdukjeje. Nuk ka asnjë problem tjetër të tillë të shtruar në tryezën e bisedimeve.”

 

Ish-zv.sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe kryetari i Komitetit Këshillimor të Aleancës së Gjelbër Ndërkombëtare të Nismës “Një brez, një rrugë” (BRIGC), Erik Solheim, thotë: “Kina është vendi më i madh pyllëzues në botë, duke mbjellë në shkretëtira, në zonat e ftohta dhe në pyjet tropikale të shiut në Yunnan.”

 

2022-shi po largohet dhe 2023-shi po vjen. Për të gjithë ne, dimri do të kalojë dhe le të presim një pranverë ndryshe!

 

Enriko Ceko shprehet: “Në vitin 2023 besoj që Kina do të ecë në rrugën e vet në mënyrë të vendosur. Kyçi i suksesit të Kinës do të jetë modeli i ri i zhvillimit me koordinimin e qarkullimit të brendshëm dhe qarkullimit të jashtëm.”

 

Dr. Michael Borchmann nga ana e tij thotë: “Njerëzimi dhe bashkësia ndërkombëtare ka nevojë për paqe, stabilitet, balancim dhe harmoni. Shpresojmë që në vitin 2023 ky lloj mençurie do të ketë një rinisje dhe do të vazhdojë për një rrugë të gjatë. Kështu, do të kemi një vit të ri të bukur.” (Jiang Lei/Artan)