Përdorimi i antibiotikëve te kafshët e fermave kineze është në rënie
2022-12-26 15:39:39

Foto: VCG

Përdorimi i antibiotikëve në kafshët e fermave kineze ka qenë në një rënie të vazhdueshme që nga viti 2017, në një kohë që abuzimi i barnave të tilla ka nxitur një krizë globale të rezistencës ndaj antibiotikëve, bën të ditur “China Daily”.

Kafshët në fermat e Kinës morën 32.500 tonë antibiotikë vitin e kaluar, nga 41.800 tonë në vitin 2017, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale.

Këtë vit, ministria ka promovuar uljen e konsumit të antibiotikëve në 21.000 ferma në shkallë vendi. Fushata, që përfshin 16 lloje, duke përfshirë derrat dhe pulat, ka parë "përparim të dukshëm".

Ministria tha se ka inspektuar mesatarisht 20.000 mostra kafshësh në vit gjatë periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020), dhe më shumë se 98 për qind ishin në përputhje me standardin.

Që nga viti 2016, autoritetet kanë ndaluar katër lloje të antibiotikëve për përdorim në kafshë: ato të rëndësishme për trajtimin e njerëzve; ato që përdoren për të nxitur rritjen e kafshëve; ato që mbeten në trup dhe mund të shkaktojnë probleme për njerëzit pasi të hahen; dhe ato që ka të ngjarë të rrisin rezistencën ndaj antibiotikëve, tha ministria. (Elona)