Shqiptarët e shekullit XIX të pikturuar nga evropianët, ekspozitë në Tiranë
2022-12-26 15:54:34

Foto: MCN tv

Muzeu Historik Kombëtar çeli këtë fundjavë ekspozitën me titull “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve evropianë të shekullit XIX”. Kjo ekspozitë përmban 45 riprodhime të tablove të piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX. Këto tablo janë një pjesë e asaj krijimtarie të madhe të piktorëve evropianë të shekullit XIX, të cilët krahas ekzotizmit përmes figurave, kompozimeve dhe ngjyrave dhanë edhe dramacitetin, tragjizmin apo atë lirizëm të pakët që mund të ekzistonte në atmosferën e rëndë të një pushtimi perandorak.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, e cilësoi ekspozitën në fjalë si një aktivitet kulturor të veçantë, në të cilin Shqipëria del në pah në krijimtarinë e udhëtarëve të huaj, citon “ATSH”. Sipas dr. Koçit, piktorë të huaj britanikë apo francezë, qëndruan në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, për të vizituar më pas qendra të tjera urbane. Këto punime gjenden në muze të rëndësishëm të hapësirës evropiane, si në muzetë britanikë apo në Muzeun e Luvrit. (Elona)