Vijon vrulli i punës për të rritur furnizimin me ilaçe për kontrollin e epidemisë
2022-12-23 13:58:23

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Për të siguruar furnizim të bollshëm me ilaçe kundër epidemisë në Kinë, janë vendosur masa të gjithanshme për të rritur prodhimin e ilaçeve dhe për të lehtësuar shpërndarjen.

Në “Hebei Dongfeng Pharmaceutical Co., Ltd.”, linjat e prodhimit funksionojnë me kapacitet të plotë për të prodhuar analgjezikë dhe ilaçe të tjera pa recetë që trajtojnë simptomat e Covid-19. Ndër to, kapaciteti ditor i prodhimit të ibuprofenit është 1.5 milionë tableta, të cilat mund të plotësojnë konsumin ditor të rreth 300.000 njerëzve, përcjell “Xinhua”.

Në Shenyang, kryeqendra e provincës verilindore Liaoning, “Northeast Pharm” po punon gjatë gjithë kohës për të prodhuar tableta paracetamol.

Produktet shiten për 0.1 juanë (rreth 0.014 dollarë amerikanë) për tabletë. Çmimi i ulët i këtij ilaçi ka bërë që kompania të bëhet virale në internet.

Ka 12 prodhues të barnave në Shenyang, që prodhojnë 40 lloje ilaçesh antivirale, antibiotike, që ulin temperaturën dhe lehtësojnë kollën, tha Liu Yaoguo, zyrtar në Komisionin Komunal të Zhvillimit dhe Reformës në Shenyang.

Ndërkohë, janë marrë masa të ndryshme për të përshpejtuar qarkullimin e produkteve mjekësore, duke siguruar që ato të hyjnë pa probleme në treg dhe të arrijnë te njerëzit.

Në “China Resources Pharmaceutical Commercial Group Co., Ltd.” në distriktin Xicheng të Pekinit, kamionë të shpërndarjes logjistike të të gjitha madhësive janë mobilizuar për të përshpejtuar transportin.

Ma Chunlin, një nga shoferët, e ngarkoi kamionin me mbi 700 kuti përpara se të nisej për në një magazinë në distriktin Shunyi të kryeqytetit kinez.

Me ndihmën e Administratës Komunale të Produkteve Mjekësore të Pekinit, u krijua një kanal i gjelbër për shpërndarjen e ilaçeve, duke u ofruar komoditet kamionëve të shpërndarjes logjistike si transporti i dërgesave të barnave të Ma.

Sipas të dhënave të kompanisë, ajo ka furnizuar më shumë se 3 milionë artikuj të barnave kundër epidemisë, përfshirë reduktuesit e etheve, për mbi 4000 klientë në të gjithë Pekinin gjatë javës së kaluar. Midis tyre ishin 300 spitale, më shumë se 2200 qendra shëndetësore komunitare dhe mbi 1500 farmaci me pakicë.

Nga fillimi i dhjetorit, një nga magazinat e “Sinopharm Logistics” në Shangai ka arritur të dërgojë mbi 3 milionë artikuj medikamentesh me kërkesa të larta në institucionet mjekësore në të gjithë qytetin.

“JD Health International Inc.”, dega e kujdesit shëndetësor e gjigantit të tregtisë elektronike “JD.com”, ka punuar me kompanitë e dërgesave ekspres për të ndihmuar më shumë se 1400 farmaci fizike në Pekin të ofrojnë shërbime të shpërndarjes në shtëpi. (Irma)