Marrëdhëniet ekonomiko-tregtare Kinë-BE, më të qëndrueshme në vitin 2022
2022-12-22 16:55:59

Në vitin 2022, me shpërthimet e përsëritura të epidemisë dhe trazirat e vazhdueshme gjeopolitike, ekonomia botërore është goditur nga kriza energjetike e inflacioni i lartë dhe rreziku i recesionit të ekonomive kryesore është rritur ndjeshëm. Por marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës janë bërë më të qëndrueshme këtë vit dhe kanë shfaqur një prirje pozitive.

Në dhjetë muajt e parë të vitit 2022, vëllimi i tregtisë Kinë-BE arriti në 711.4 miliardë dollarë amerikanë, 6.3 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2021. Nga janari në gusht, BE-ja investoi 7.45 miliardë dollarë në Kinë, me një rritje prej 121.1 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme. Në nëntor, avioni “Airbus A321” u vu zyrtarisht në prodhim në linjën përfundimtare të montimit në Tianjin dhe pritet që modeli i avionit të parë A321 të dorëzohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Institucioni europian i kërkimeve “Rhodium” vuri në dukje në raportin e tij se, në katër vjetët e fundit, dhjetë gjigantët më të mëdhenj evropianë që investojnë në Kinë çdo vit kanë zënë rreth 80 % të vëllimit të përgjithshëm të investimeve të drejtpërdrejta evropiane në Kinë. Mund të thuhet se Kina dhe Evropa kanë krijuar një marrëdhënie të fortë ekonomike simbiotike.

Në fillim të dhjetorit, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel e bëri të qartë gjatë vizitës së tij në Kinë se BE-ja është e gatshme të jetë partnere e besueshme dhe e parashikueshme e Kinës. Liderët kinezë theksojnë se ruajtja e hovit në marrëdhëniet Kinë-BE dhe synimi i përfitimeve të ndërsjella janë në përputhje me interesat e përbashkët të Kinës, Evropës dhe bashkësisë ndërkombëtare. (Zhan Dian/Artan)