Presidentët e Kinës dhe Gjermanisë zhvillojnë bisedë telefonike
2022-12-21 16:43:42

Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi të martën një bisedë telefonike me homologun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier me ftesën e këtij të fundit.

Xi vuri në dukje se sivjet është jubileu i 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Gjermanisë, duke qenë kështu një vit shumë domethënës në marrëdhëniet kino-gjermane. Me përpjekjet e përbashkëta të disa brezave të liderëve kinezë e gjermanë, marrëdhëniet dypalëshe kanë ecur përpara dhe të dy vendet janë bërë partnerë të gjithanshëm strategjikë, tha ai.

Kina dëshiron të përpiqet bashkërisht me Gjermaninë për ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në një nivel më të lartë dhe për të nisur një 50-vjeçar të suksesshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen, theksoi Xi.

Ai paraqiti një propozim prej tre pikash për zhvillimin e marrëdhënieve kino-gjermane në fazën e ardhshme.

Nga ana e tij, Steinmeier-i u shpreh se gjatë 50 vjetëve të kaluar, marrëdhëniet ndërmjet Gjermanisë e Kinës janë bërë më të ngushta dhe bashkëpunimi dypalësh ka dhënë rezultate frytdhënëse në të mirë të të dy popujve. Gjermania është e vendosur në politikën e “Një Kine” dhe është e gatshme të punojë me Kinën për promovimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, në bazë të frymës së respektit të ndërsjellë, hapjes e tolerancës, tha presidenti gjerman.

Gjermania e çmon kontributin e rëndësishëm të Kinës në mbledhjen e 15-të të Konferencës së Palëve (COP15) të Konventës së OKB-së për Diversitetin Biologjik dhe është e gatshme të nxitë aktivisht zhvillimin e marrëdhënieve Evropë-Kinë, shtoi ai.

Të dyja palët shkëmbyen mendime dhe për krizën në Ukrainë. Xi tha se Kina ngul këmbë në nxitjen e bisedimeve të paqes dhe beson se zgjatja e ndërlikimi i krizës nuk është në dobi të asnjë pale. Pala kineze e përkrah palën evropiane të tregojë autonomi strategjike, të drejtojë ndërtimin e një arkitekture të sigurisë evropiane të ekuilibruar, efektive e të vazhdueshme dhe të realizojë paqen e stabilitetin afatgjatë në kontinentin evropian, vuri në dukje ai. (Wang Lei/ Artan)