Nënshkrimi i marrëveshjes katërpalëshe për kabllon elektrike të Detit të Zi
2022-12-19 12:39:41

Foto: Xinhua

Rumania, Hungaria, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia nënshkruan një marrëveshje për kabllon nëndetare të Detit të Zi për transportin e energjisë elektrike nga zona e Kaspikut në Rumani, njofton “CGTN”.

“Azerbajxhani ka nevojë për rrugëdalje për burimet e mëdha që ka. Startuam ndërtimin e një ure të re nga Azerbajxhani në Evropë. Vendi do të bëhet një furnizues i rëndësishëm i energjisë elektrike në Evropë, veçanërisht i energjisë së gjelbër”,- tha presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në ceremoninë e nënshkrimit.

Marrëveshja katërpalëshe ndërqeveritare do të sigurojë kuadrin financiar dhe teknik për zbatimin e projektit, sipas të cilit Azerbajxhani do të furnizojë me energji elektrike të gjelbër në Gjeorgji nëpërmjet linjave të energjisë elektrike, dhe më pas me kabllon e planifikuar nëndetare në Rumani, dhe prej andej në Hungari dhe pjesën tjetër të Evropës, nëpërmjet sistemit evropian të transportit.

Kablloja nëndetare 500 kV midis Gjeorgjisë dhe Rumanisë do të ishte 1100 km e gjatë dhe do të kishte një kapacitet prej 1 GW. Operatori gjeorgjian i sistemit të transmetimit GSE tha se projekti përfshin gjithashtu një kabllo

telekomunikacioni.

Gjeorgjia ka thënë se studimi i fizibilitetit është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit 2023 dhe kablloja mund të ndërtohet në fund të vitit 2029. (Fatosi)