BE akordon mbi 300 miliardë euro për bujqësinë në periudhën 2023-‘27
2022-12-17 17:09:14

Bujqesia mbeshtetje nga BE (Foto Atsh)

Bujqesia mbeshtetje nga BE (Foto Atsh)

Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare do të japin 307 miliardë euro mbështetje për bujqësinë në periudhën 2023-2027.

Komisioni Evropian njoftoi se politika e re e përbashkët bujqësore do të hyjë në fuqi më 1 janar 2023, bën të ditur “ATSH”.

Duke përmendur se KE-ja ka miratuar planet strategjike bujqësore të të gjitha vendeve anëtare, në deklaratë thuhet se një total prej 264 miliardë eurosh në financim të BE-së do të mbështesë fermerët evropianë në tranzicionin drejt një sektori bujqësor të qëndrueshëm dhe të fuqishëm dhe do të ndihmojë në ruajtjen e vitalitetit dhe diversitetit të zonave rurale.

Vendet anëtare do të ofrojnë bashkëfinancim dhe mbështetje plotësuese për bujqësinë ndërsa buxheti total publik i ndarë për fermerët dhe komunitetet rurale për periudhën 2023-2027 do të jetë 307 miliardë euro.

VCG

VCG

Në kuadër të pagesave direkte, fermerëve të kualifikuar do t’u jepen çdo vit 20 miliardë euro mbështetje të të ardhurave bazë. Mbështetje më te madhe për të ardhurat do të kenë fermat e vogla dhe të mesme ndërsa do të rritet mbështetja për ata që mbjellin produkte me përmbajtje proteinash.

Më tej thuhet se 98 miliardë euro nga fondet e politikës bujqësore do të ndahen për klimën, ujin, tokën, ajrin, biodiversitetin dhe mirëqenien e kafshëve.

Po ashtu, do të ofrohet mbështetje e posaçme për fermerët e rinj dhe se atyre do t’u vihen në dispozicion 8.5 miliardë euro shpenzime publike për shfrytëzimin e tyre në vitin e parë të funksionimit.

Politika e re bujqësore, që do të hyjë në fuqi në vitin 2023, përfshin forcimin e biodiversitetit dhe kthimin e fermerëve drejt praktikave miqësore me klimën dhe mjedisit. (Irma)