Kina i kërkon Japonisë t'i kushtojë vëmendje shqetësimit të palëve për shkarkimin të ujit të ndotur bërthamor
2022-12-14 22:08:21

Përfaqësuesi i Forumit të Ishujve të Paqësorit mbajti më 8 dhjetor një fjalim në konferencën e 40-vjetorit të miratimit të Konventës e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Detare. Ai vuri në dukje se duhet të shmangen ndikimet ndërkufitare dhe ato ndërmjet brezave të ndotjes bërthamore në Oqeanin Paqësor, dhe ritheksoi rëndësinë e sigurimit të konsultimeve ndërkombëtare, ligjit ndërkombëtar dhe vlerësimit shkencor të pavarur e të verifikueshëm mbi çështjet e ndotjes bërthamore. Grupi i ekspertëve për ujin bërthamor i Forumit të Ishujve të Paqësorit vuri në dukje se ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme që shkarkimi i ujit të ndotur bërthmor nga Japonia është i sigurt për banorët e Paqësorit dhe biodiversitetin detar. Grupi i ekspertëve i rekomandoi Japonisë që ta shtyjë lëshimin e ujit të ndotur bërthamor në det dhe e inkurajoi atë që të marrë parasysh zgjedhje të tjera.

Foto: VCG

Foto: VCG

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin theksoi se kjo pasqyron shqetësimin serioz të bashkësisë ndërkombëtare për trajtimin e ujit të ndotur bërthamor të Japonisë.

 “Shkarkimi i ujit të ndotur bërthamor ka lidhje me mjedisin detar global dhe shëndetin publik të vendeve të ndryshme, dhe nuk është një çështje private e Japonisë. Por është për të ardhur keq që gjatë më shumë se një viti, qeveria japoneze nuk ka bërë shpjegime të mjaftueshme e të besueshme mbi çështje kyçe, si legjitimiteti i planit të shkarkimit të ujit, besueshmëria e të dhënave, efektiviteti i pajisjeve të pastrimit dhe pasiguria e ndikimit mjedisor etj. Pala japoneze nuk zhvilloi konsultime të mjaftueshme dhe domethënëse me palët e interesuara, duke përfshirë vendet fqinje. Pala japoneze vijoi planin e shkarkimit të ujit të ndotur bërthamor në det, pa një përfundim nga grupi teknik i punës i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), që ende po kryen vlerësimin gjithëpërfshirës. Japonia shpërfill shqetësimet e të gjitha palëve dhe përpiqet ta bëjë fakt të kryer, çka është shumë e papërgjegjshme,” tha Wang.

Ai theksoi se pala kineze i kërkon edhe një herë palës japoneze t'u kushtojë vëmendje shqetësimeve të arsyeshme të të gjitha palëve dhe të ndalojë zbatimin e planit për lëshimin e ujit të ndotur bërthamor. Kina i  bën thirrje Japonisë që të konsultohet plotësisht me palët e interesuara, duke përfshirë vendet fqinje dhe vendet ishullore të Paqësorit, si edhe agjencitë ndërkombëtare përkatëse, për të gjetur zgjedhje më të mirë për shkarkimin e ujit të ndotur bërthamor, nën mbikëqyrjen e rreptë të IAEA-së. Para se ta bëjë këtë, pala japoneze nuk duhet të nisë shkarkimin e ujit të ndotur bërthamor në det, vuri në dukje zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Li Huailiang/Artan)