Kina publikon grupin e parë të pamjeve të marra nga sonda diellore “Kuaifu-1”
2022-12-13 16:34:52

Foto: Qendra Kombëtare e Shkencave Hapësinore e Kinës

Kina publikoi pjesën e parë të pamjeve të marra nga sonda e parë e gjithanshme diellore e vendit në një konferencë shtypi në Qendrën Kombëtare të Shkencës Hapësinore të martën.

Observatori Diellor i Përparuar me bazë në Hapësirë (ASO-S), i quajtur “Kuafu-1”, ka punuar në orbitë 720 kilometra nga Toka, duke qëndruar përballë Diellit që nga nisja e tij në tetor.

Pamjet u morën nga tre pajisje të ndryshme në sondë gjatë dy muajve të fundit – Magnetografi me Disk të Plotë (FMG), Teleskopi Diellor Lyman-alpha (LST) dhe Imazhuesi me Rreze X të Forta (HXI).

FMG ka vrojtuar fushën magnetike të diellit, duke shënuar herën e parë që Kina bën vëzhgime të tilla nga hapësira. HXI mori pamje të diellit me të ashtuquajturat rreze X të forta, e vetmja pajisje e tillë në botë që ofron pamje me rreze X të forta nga këndi i Tokës. LST, që përfshin tre pjesë pajisjesh, kapi gjithashtu një imazh të pashembullt të diskut të plotë të diellit.

Sonda diellore, me një jetëgjatësi të parashikuar jo më pak se katër vjet, është projektuar për të mbledhur dhe transmetuar rreth 500 gigabajtë të dhëna brenda një dite, e barasvlershme me dhjetra mijë imazhe të cilësisë së lartë.

Ky është teleskopi i parë satelitor pranë Tokës në botë që monitoron njëkohësisht zjarret diellore, shpërthimet e masës së kurorës së Diellit dhe fushën magnetike të Diellit, sipas Gan Weiqun, kryeshkencëtari i satelitit nga Observatori i Malit të Purpurt  i Akademisë Kineze të Shkencave.

Gjatë funksionimit të tij në orbitë, tre stacionet në Tokë në qytetet Sanya, Kashgar dhe Pekin, që ndodhen larg njëri-tjetrit, marrin të dhëna nga hapësira, përpara se t'i dërgojnë gjatë katër vjetëve të ardhshme në një kompjuter të fuqishëm në PMO për deshifrim.