Kërkimet: Metani nga rrjedhjet e Nord Stream mund të kërcënojë ekosistemin
2022-12-13 13:34:26

Foto:VCG

Foto:VCG

Më shumë se dy muaj pasi u raportua rrjedhja e parë e gazit në Nord Stream, nivelet e metanit janë ende të larta dhe mund të përbëjnë një kërcënim për ekosistemin, thanë të dielën studiuesit në një universitet suedez, njofton “Xinhua”.

Hulumtimet kanë treguar se një pjesë e konsiderueshme e gazit të metanit që rrjedh nga tubacionet në fund të Detit Baltik nuk u ngrit në atmosferë. Në vend të kësaj, ai u tret në ujë dhe u përhap me rrymat, bëri të ditur Universiteti i Goteborgut në një deklaratë për shtyp.

“Gjatë dy javëve të para, ne pamë nivele jashtëzakonisht të larta të metanit, pothuajse shumë të larta për sensorët tanë për t'u matur dhe ndoshta deri në njëqind herë më të larta se normalja. Vetëm tani po shohim një rënie në nivelet normale, dhe madje, ne ende ndonjëherë shohim njolla me metan shumë të lartë”,- tha Bastien Queste, oqeanograf në universitet.

Hulumtimi u krye në bashkëpunim me fondacionin suedez të kërkimit detar “Zëri i Oqeanit”. Studiuesit vendosën robotë nënujorë për të bërë matje të vazhdueshme dhe të dhënat u dërguan studiuesve përmes satelitit.

“Sasi të mëdha metani të tretur në ujë ndoshta do të ndikojnë në jetën detare”,- tha Thomas Dahlgren, biolog detar në Departamentin e Shkencave Detare të universitetit.

Teoria e tij është se rënia e shpejtë e metanit është për shkak të tretjes së tij nga bakteret, diçka që do të çonte në mbifertilizimin dhe acidifikimin e oqeanit.

“Kjo është ajo që ndodhi pas një rrjedhjeje të ngjashme në Gjirin e Meksikës në vitin 2010”,- tha Dahlgren.

Tubacionet përmbanin rreth 778 milionë metra kub metan kur u dëmtuan, njoftoi Agjencia Daneze e Energjisë. (Fatosi)