Samiti BE-Ballkani Perëndimor: BE financim për tubacionin e gazit Vlorë-Fier
2022-12-12 17:05:11

Belinda Balluku (Foto:FB)

Nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e tarifave të roaming-ut të vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato të Bashkimit Europian ishte një prej zhvillimeve më të rëndësishme me karakter ekonomik të Samitit të Bashkimit Europian në Tiranë. Sipas marrëveshjes do të kemi tarifa më të ulëta kur shkojmë në vendet e Bashkimit Europian. Një marrëveshje e tillë do të kursente miliona euro për qytetarët shqiptarë, veçanërisht në vendet ku ka prezencë të madhe të tyre, siç janë Greqia, Italia, Gjermania, apo Britania e Madhe.

“Nga 1 tetori i 2023- shit do të fillojë aplikimi i uljes së tarifave përsa i përket roaming për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kur ata vizitojnë vendet e Bashktimit Europian. Sigurisht ky është një proces i gjatë që do të marrë kohën e tij. Procesi që do të nisë  në  2023-shin do të jetë i gjatë dhe në të janë përfshirë më shumë se 100 operatorë ku shumica kanë firmosur, por do të ketë negociata të tjera dhe do të kërkojë investime të reja nga kompanitë. Do të ketë impakt në jetën e qytetarëve. Janë hapa konkretë ekonomik”- ka deklaruar per mediat Zv.Kryeministrja Belinda Balluku.

Situata energjetike mori një vëmendje të shtuar gjatë diskutimeve të zhvilluara në samitin BE- Ballkani Perëndimor në Shqipëri, për shkak edhe të krizës që është duke kaluar ky sektor. Bashkimi Evropian do të financojë ndërtimin e tubacionit të transmetimit të gazit nga terminali i lundrueshëm i Vlorës në pikën dalëse të gazsjellësit TAP në Fier. Dakordësia e BE-së për këtë projekt është bërë e ditur gjatë ë Samitit të Bashkimit Europian ndërsa lajmin e ka njoftuar Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një interviste për mediat.

“Për të thënë të drejtën ka qenë një javë plot me lajme të mira. Kemi marrë lajmin dje që është marrë vendimi që Korridori VIII pas shumë e shumë përpjekjesh e gjithë pjesa e investimeve hekurudhore të përfshihet në korridoret “core” të BE-së , pra në korridorin Ten-T. Sot është folur gjerë e gjatë për energjinë duke qenë se është pjesa më e prekshme e krizës, e cila ka ndikuar jetën e qytetarëve pothuajse në të gjithë Europën. Janë shumë pak vende që e kanë mbrojtur qytetarin plotësisht siç është Shqipëria, ku qytetarët dhe bizneset e vogla nuk e kanë ndjerë për asnjë moment krizën për shkak të mburojave sociale që janë aktivizuar. Kështu që ne me transhin e parë, me atë që presidentja e Komisionit ka deklaruar pak muaj më parë kemi përfituar 85 milionë që janë injektim direkt në buxhetin e shtetit, për t’u përdorur për importet që do të kemi në të ardhmen”, u shpreh Balluku.

Roaming (Foto: Koha jone)

1 miliard euro është paketa mbështetëse për energjinë dhe infrastrukturën që Bashkimi Europian jep për Ballkanin Perëndimor. 500 milionë euro do të shkojnë si mbështetje buxhetore, ndërsa pjesa tjetër do të investohet në infrastrukturë për energjinë e së ardhmes, deklaroi Presidentja e KE, Europian Ursula Von Der Leyen, në konferencën përmbyllëse të samitit, të mbajtur në Tiranë.

“Në paketën e dytë, zhvillohet përmes fondeve të WBIF, ku secili nga 6 shtetet duhet të konkurrojë me projekte që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve të shtuara të energjisë së rinovueshme dhe që kanë të bëjnë me eficencën e energjisë. Kemi marrë pjesë me 3 projekte kryesore që është pajisja e 25 mijë kabinave me ‘smart meters’ që do të bëjë uljen e humbjeve teknike në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Kemi marrë pjesë gjithashtu me rritjen e numrit të abonentëve që duan të kenë panelin e ngrohjes së ujit, pra me 20 mijë abonentë. E treta është ndërtimi i një parku fotovolkaik 50 megavat orësh në zonën e Belshit në pronësi të KESH. Sot kemi marrë një lajm shumë të mirë që ishte totalisht i papritur pavarësisht se kishim shumë kohë që diskutonim me komisionin dhe me BE-në që kanë vendosur të mbështesin edhe ndërtimin e pjesës së parë të tubit transmetues të gazit për gjatësinë e projektit Adriatiko-Jonian, që është pjesa nga Vlora deri në exit point e Fierit. Nga terminali i lundrueshëm i Vlorës për në exit point e Fierit, ku janë 33 km dhe është pjesa më e rëndësishme për territorin shqiptar”.- tha Balluku.

Për Klan News Ministrja Balluku tha se situate hidrike në vend është e qëndrueshme.

Tubacioner e gazit Fier(Foto: Albgaz)

“Për momentin situata hidrike është e qëndrueshme. Nuk mund ta quaja optimale pasi niveli i Fierzës sot është 280 metra. Do donim ta kishim më shumë, por prodhimi vendas plotëson të gjithë nevojën për momentin. Nuk jemi në kushtet e eksportit pasi prodhimi vendas po mbulon një nevojë të rritur, duke qenë se ditët e fundit temperaturat kanë rënë dhe ka një efekt momenti, duke qenë se jemi në dhjetor dhe ka një shtim të aktiviteteve përgjithësisht, edhe ndriçimeve festive etj etj. Ne besojmë sipas të gjitha parashikimeve që vijnë nga sateliti që gjatë datës 12 dhe pas asaj date do të ketë prurje të reja në Liqenin e Fierzës, pasi do të kemi një event të rëndësishëm me reshje në zonën e Kukësit etj”, u shpreh Balluku.