Kina lehtëson kufizimet e saj për COVID-in pas afro 3 vitesh. Përse tani?
2022-12-11 16:54:56

nga VCG

nga VCG

Pas 3 vitesh nën pandeminë e COVID-it, kohët e fundit Kina ka lehtësuar kufizimet për të përmirësuar më tej reagimin e saj në politikat e testimit, karantinës dhe udhëtimin e rregulluar.

Për shembull, testimet PCR nuk kërkohen më për hyrjen në shumicën e vendeve publike, pacientët me simptoma të lehta mund t’i nënshtrohen karantinës në shtëpi, ndërsa zonat me rrezik të lartë nuk mund të vendosin kufizime udhëtimi ose të pezullojnë bizneset.

Përse tani?

Këto ndryshime shënojnë një ndryshim të dukshëm nga strategjia e zero-COVID dinamike, së cilës Kina i ishte përmbajtur për afro 3 vjet.  

Përse Kina po bën ndryshimet tani?

Sepse pas 3 vitesh përpjekjeje, sipas autoriteteve të shëndetit dhe ekspertëve, gjërat në vend janë ndryshe. Së pari, nënvariantet e Omicron-it të përhapura aktualisht në Kinë janë shumë më të buta se llojet e mëparshme. Ato janë më të transmetueshme, por shkaktojnë sëmundje më pak të rënda, duke paraqitur rrezik shumë më të ulët për shëndetin e njerëzve, sipas zyrtarëve dhe ekspertëve të shëndetit.  

Eksperti kryesor për frymëmarrjen në Kinë, Zhong Nanshan tha të premten se 99 për qind e njerëzve të infektuar me nënvariantet e Omicron-it mund të shërohen plotësisht brenda 7 deri 10 ditëve dhe se përqindja e vdekjes nga këto variante është afërsisht e njëjtë me atë të gripit.

Në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore ekzistojnë mbi 160 mijë raste me infektim në valën e fundit dhe asnjë vdekje, tha të hënën për Grupin Mediatik të Kinës, Tang Xiaoping, kreu i Universitetit Mjekësor të Guangzhout. Sipas tij, mbi 90 për qind e njerëzve të infektuar nuk shfaqën simptoma dhe u shoqëruan me sëmundje të lehta.

Së dyti, mbi 90 për qind e popullsisë në Kinë është vaksinuar plotësisht, sipas të dhënave zyrtare. Midis tyre, 86.42 për qind e njerëzve mbi 60 vjeç, të cilët janë më të prekshëm nga virusi, ishin vaksinuar plotësisht deri më 28 nëntor. Ndërkohë qeveria po nxit më shumë banorë të moshuar që të vaksinohen. 

Përse jo më të herët?

Përse Kina ka pritur afro 3 vjet për të bërë ndryshimin e politikave kryesore, kur shumë vende zgjodhën të jetojnë me këtë virus më herët?

Në fakt, Kina ka bërë ndryshime në rritje dhe në vazhdimësi në politikat e saj për COVID-19, për t’i bërë ato më të sakta dhe të synuara gjatë 3 viteve të fundit, duke vlerësuar edhe situatën e përgjithshme.

Ndryshimi i kohëve të fundit është pjesë e asaj strategjie, sipas autoriteteve të shëndetit, e cila u bë e mundshme nga kushtet e përmendura më sipër dhe përpjekjeve të qëndrueshme të Kinës në 3 vitet e fundit.

Kur virusi u zbulua në Wuhan në fundin e vitit 2019, ai ishte shumë më vdekjeprurës. Qeveria atëherë mori një vendim të fortë dhe të guximshëm për të mbyllur trafikun brenda dhe jashtë këtij qyteti. Kinës iu deshën 3 muaj që të frenojë virusin në Wuhan dhe të ndalojë përhapjen e tij në pjesët e tjera të vendit.

Pas kësaj, Kina reagoi shpejt për të bllokuar mbi 100 shpërthimet lokale nën parimin e zero COVID dinamike për të garantuar jetën dhe shëndetin e 1.4 miliardë njerëzve në Kinë.

Në të njëjtën kohë, qeveria nxiti një vaksinim masiv në të gjithë vendin për të formuar mbrojtjen e imunitetit, i cili rezultoi efektiv në parandalimin e rasteve të vdekjeve dhe sëmundjeve të rënda.

nga VCG

nga VCG

Deri tani, Kina e ka mbajtur numrin e vdekjeve nga COVID-19 në 5.235, falë edhe këtyre përpjekjeve të pandërprera.

Por virusi ka ndryshuar vazhdimisht përmes mutacioneve të vazhdueshme, nga Alpha tek Beta, Delta dhe tashmë Omicron, me një shkallë vdekjesh globale gjithmonë në ulje. Megjithatë ky ka qenë një proces gradual në 3 vitet e fundit.

Në të njëjtën periudhë kohore, në mbarë botën, mbi 6.62 milionë njerëz kanë humbur jetën nga pandemia dhe numri i përgjithshëm i infektimeve ka kaluar shifrën 642 milionë, sipas të dhënave më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në ShBA, vendin më të zhvilluar të botës dhe me burimet më të bollshme mjekësore, virusi ka vrarë mbi 1.09 milionë njerëz dhe rreth 100 milionë të tjerë janë infektuar, sipas të dhënave zyrtare amerikane.

Imagjinojmë nëse Kina, një vend me një popullsi mbi 4 herë më të madhe se ajo e ShBA-së dhe infrastrukturë mjekësore më të paktë, të miratonte të njëjtat politika anti-COVID si ShBA-ja më parë. Kjo do të kishte vënë në rrezik miliona e miliona jetë.

Shkalla më e ulët e incidencës dhe vdekjeve

Në fakt, Kina ka shkallën më të ulët të incidencës dhe numrin më të ulët të vdekjeve nga COVID-i mes vendeve kryesore.

Sipas Zhongut, deri më 28 nëntor të vitit 2022, shkalla e incidencës së COVID-it në Kinë ishte 1/374-ta e mesatares globale dhe 1/1348-ta e nivelit të ShBA-së, ndërsa përqindja e vdekjeve në Kinë ishte 1/232-ta e mesatares globale.

Jetëgjatësia e pritur e njerëzve u rrit nga 77.4 në vitin 2019 në 77.93 në vitin 2020 dhe 78.2 në 2021-in, sipas të dhënave zyrtare.

Ky rezultat u arrit sepse qeveria kineze e ktheu në prioritetin e saj të parë jetën dhe shëndetin e popullit gjatë hartimit të politikave kundër COVID-it. (Xu Guang)