Presidenti kinez takon homologun palestinez
2022-12-09 15:06:08

VCG

VCG

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua të enjten pasdite në kryeqytetin saudit Riad me presidentin e Palestinës Mahmoud Abbas.

 

Xi vuri në dukje në këtë takim që, pavarësisht se si ndryshon gjendja ndërkombëtare e rajonale, Kina do të mbështetë në mënyrë të vendosur popullin palestinez në rifitimin e të drejtave të ligjshme kombëtare dhe do të qëndrojë gjithmonë përkrah popullit palestinez. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta vendosë çështjen palestineze në krye të agjendës ndërkombëtare, duhet të ngulë këmbë në “zgjidhjen e dy shteteve” e në parimin “Tokë për paqe” dhe të nxitë rifillimin e bisedimeve të paqes në bazë të rezolutave të OKB-së dhe Nismës Arabe të Paqes. Kina do të vazhdojë të përpiqet për nxitjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes së Palestinës.

 

Xi theksoi po ashtu që Kina u ka dhënë refugjatëve palestinezë materiale ndihme kundër epidemisë, si vaksina, dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihma brenda mundësive për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës në Palestinë. Pala kineze e vlerëson pjesëmarrjen aktive të palës palestineze në bashkëpunimin kolektiv kino-arab dhe është e gatshme të shtojë koordinimin dhe bashkëpunimin për nxitjen e marrëdhënieve kino-arabe dhe zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global dhe Nismës së Sigurisë Globale.

 

VCG

VCG

Nga ana e tij, presidenti palestinez Mahmoud Abbas u shpreh që populli palestinez ndien krenari për miqësinë me popullin kinez. Kina është një mike e sinqertë dhe e besueshme e Palestinës dhe mbështet gjithmonë çështjen e drejtë të popullit palestinez, duke ofruar mbështetje të gjithanshme dhe pa kushte për Palestinën. Edhe populli palestinez ushqen ndjenja të sinqerta për popullin kinez. Nismat e paraqitura nga Kina janë pozitive e konstruktive dhe Palestina qëndron në mënyrë të vendosur përkrah Kinës. Palestina do të zbatojë pa luhatje parimin e “Një Kine”, do të mbështetë qëndrimin e drejtë të Kinës mbi çështjet lidhur me Tajvanin, Hong-Hongun dhe Xinjiang-un, do të përkrahë dhe do të marrë pjesë aktivisht në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe është e gatshme të shtojë bashkëpunimin me Kinën në sektorë të ndryshëm, tha Abbas. (Jiang Lei)