Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kryeministrin e Irakut Mohammed Shia al-Sudani
2022-12-09 22:38:54


Presidenti kinez Xi Jinping u takua në mëngjesin e së premtes me kryeministrin e Irakut Mohammed Shia al-Sudani.

Presidenti kinez vuri në dukje se Iraku është një ndër vendet e para arabe që vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën. Që prej krijimit të partneritetit strategjik dypalësh në vitin 2015, marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Irakut janë zhvilluar në mënyrë të shëndetshme e të qëndrueshme dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka përparuar në mënyrë të vazhdueshme. Pala kineze e vlerëson palën irakiane për mbështetjen në çështjet që kanë lidhje me interesat thelbësore të Kinës. Kina do të vijojë të përkrahë me vendosmëri Irakun në ruajtjen e sovranitetit kombëtar, pavarësisë e integritetit territorial dhe do të mbështetë fraksionet irakiane që të forcojnë unitetin dhe bashkëpunimin. Pala kineze është e gatshme të punojë bashkë me palën irakiane për të thelluar vazhdimisht partneritetin strategjik ndërmjet të dy vendeve.

Foto: CGTN

Foto: CGTN

Xi vuri në dukje se Kina do të vijojë ta mbështetë Irakun në rindërtimin ekonomik dhe në restaurimin e industrisë, përmirësimin e jetesës së njerëzve dhe realizimin  e zhvillimit të qëndrueshëm. Kina beson po ashtu se Iraku do të vijojë të garantojë sigurinë e personelit, institucioneve dhe projekteve kineze. Pala kineze vlerëson mbështetjen aktive të Irakut për Nismën e Zhvillimit Global dhe mirëpret pjesëmarrjen e tij në Nismën e Sigurisë Globale. Po ashtu, Pekini e vlerëson palën irakiane për mbështetjen dhe promovimin e bashkëpunimit kolektiv Kinë-vendet arabe dhe është i gatshëm të punojë me të për të zbatuar rezultatet e Samitit të 1-rë Kinë-Shtetet Arabe dhe për ta ngritur partneritetin strategjik dypalësh në nivel më të lartë.

Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani u shpreh se shkëmbimet mes qytetërimeve të Irakut dhe Kinës kanë një histori mijëravjeçare dhe Kina është një vend mik i veçantë i Irakut. Marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë miqësore dhe solide. Kina është një shembull dhe model i mirë për vendet në zhvillim, që propozon dhe zbaton zhvillimin e përbashkët dhe kundërshton plaçkitjen koloniale, duke qenë një pol i rëndësishëm në botën shumëpolare. Pala irakiane i admiron arritjet e mëdha të Kinës në shumë fusha, duke përfshirë zhdukjen e varfërisë, dhe është e gatshme të mësojë nga përvoja e suksesshme e Kinës. Iraku dëshiron të bëhet një partner i rëndësishëm i Kinës në  ndërtimin e "Një brez, një rrugë" dhe mirëpret që Kina të vijojë të marrë pjesë në mënyrë aktive në ndërtimin e infrastrukturës dhe të projekteve energjetike të Irakut dhe të rritë investimet në industrinë kimike dhe energjinë elektrike në Irak. Pala irakiane është e gatshme gjithashtu të forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet me palën kineze në fushat e antiterrorizmit dhe çradikalizimit. 

Al-Sudani shprehu gjithashtu besimin se Samiti i 1-rë Kinë-Shtetet Arabe dhe samiti Kinë-Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit do të jenë të suksesshëm. (Li Huailiang/Artan)