BE pranon të ndalojë produktet që nxisin shpyllëzimin
2022-12-08 18:06:48

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Parlamenti Evropian dhe Këshilli arritën një marrëveshje të përkohshme të martën për të luftuar shpyllëzimin. Ministri i Mjedisit i Republikës Çeke, që mban Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, tha se BE është një konsumator dhe tregtar i madh i mallrave që luajnë një rol thelbësor në shpyllëzim, si kakao, soja dhe druri. Sipas tij, rregullat e reja synojnë të sigurojnë që kur konsumatorët blejnë këto produkte, ato të mos kontribuojnë në degradimin e mëtejshëm ekosistemet pyjore, citon “Xinhua”.

Në pritje të miratimit të rregullores, një listë e mallrave kryesore do të lejohet të shiten ose të eksportohen nga BE-ja vetëm nëse vërtetohet se prodhimi i tyre nuk ka kontribuar në shpyllëzimin as në BE dhe as gjetkë në botë.

Këto mallra përfshijnë vaj palme, bagëti, sojë, kafe, kakao, lëndë druri dhe gome, si dhe produkte të prejardhura, të tilla si mobilie, çokollatë, letra e shtypur ose derivate të zgjedhura me bazë vaji të palmës që përdoren si përbërës në produktet e kujdesit personal. Lista do të rishikohet dhe përditësohet pas dy vitesh.

Operatorët që dëshirojnë t'i vënë në dispozicion ose eksportojnë këto produkte nga BE-ja do të duhet të ndjekin rregullat e detyrueshme të kujdesit të duhur. Mallrat e përdorura për prodhim do të kontrollohen gjithashtu për pajtueshmërinë dhe do të duhet të jepet informacioni gjeografik. Vetëm produktet që janë prodhuar në tokë që nuk i është nënshtruar shpyllëzimit ose degradimit të pyjeve pas datës 31 dhjetor 2020 do të lejohen në tregun e BE-së ose do të eksportohen.

Një gjobë prej të paktën katër për qind të qarkullimit vjetor të operatorit në BE do të aplikohet në rast të mospërputhjes. Gjoba duhet të jetë proporcionale me dëmin mjedisor dhe me vlerën e produkteve dhe mallrave. Me hyrjen në fuqi të rregullores, operatorët dhe tregtarët do të kenë 18 muaj kohë për ta zbatuar atë.(Elona)