Xi Jinping-u u përgjigjet përfaqësuesve të nxënësve të gjuhës kineze në Arabinë Saudite
2022-12-08 17:09:18

foto/VCG

foto/VCG

Ditët e fundit, presidenti i Kinës Xi Jinping iu përgjigj përfaqësuesve të nxënësve të gjuhës kineze në Arabinë Saudite, duke inkurajuar të rinjtë sauditë që të mësojnë mirë gjuhën kineze dhe të japin kontribute të reja për të forcuar miqësinë ndërmjet Kinës dhe Arabisë Saudite e vendeve arabe.

Xi Jinping-u vuri në dukje se gjuha është çelësi më i mirë për të kuptuar një vend. Aktualisht, si populli kinez, ashtu dhe ai saudit, po bëjnë përpjekje për të realizuar ëndrrat e tyre të mëdha. Mësimi i gjuhës së njëri-tjerit dhe të kuptuarit e historisë dhe kulturës së njëri-tjetrit do të ndihmojnë në promovimin e mirëkuptimit e të miqësisë së ndërsjellë ndërmjet të dy popujve dhe në ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

Xi Jinping-u theksoi në vijim se brezi i ri është e ardhmja e Kinës dhe e Arabisë Saudite, si edhe e miqësisë dypalëshe. “Jeni të mirëpritur të vizitoni Kinën për të shtuar njohjen e ndërsjellë dhe miqësinë me të rinjtë kinezë,” shprehet presidenti Xi në letrën e tij.

Kohët e fundit, mbi 100 të rinj që mësojnë ose janë dashamirës të gjuhës kineze nga Arabia Saudite i shkruan presidentit Xi Jinping, duke treguar lidhur me përfitimet e përvojën e tyre nga mësimi i kinezishtes, si edhe duke shprehur dëshirën e tyre për të njohur më tej Kinën dhe aspiratën për t’u bërë ambasadorë të rinj të miqësisë ndërmjet Arabisë Saudite dhe Kinës.

Deri tani, gjuha kineze është përfshirë zytarisht në sistemin arsimor kombëtar të Arabisë Saudite dhe 9 universitete kanë krijuar degë të lidhura me gjuhën kineze. Janë përgatitur gjithsej mbi 300 mësues vendorë të gjuhës kineze dhe më shumë se 1100 studentë kanë marrë pjesë në kampin dimëror në internet “Ura e gjuhës kineze” , ndërsa janë mbështetur mbi 1 000 studentë për të marrë pjesë në seminarin ndërkombëtar në internet të bursave të mësuesve të gjuhës kineze.  (Fang Xiaoyu/Artan)