Laboratori kinez i eksplorimit të hapësirës së thellë vë në fokus talentet nga mbarë bota
2022-12-06 21:08:27

Foto: VCG

Laboratori kinez i eksplorimit të hapësirës së thellë, i cili filloi funksionimin në qershor të këtij viti, po rekruton talente të nivelit të lartë nga e gjithë bota, bëri të ditur të hënën Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës (CNSA).

Afro 100 vende pune janë të hapura për shkencëtarët strategjikë, talentet në fushat shtyllë dhe talentet e reja nga brenda dhe jashtë Kinës.

Laboratori, i bashkëthemeluar nga Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës, provinca Anhui dhe Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë i Kinës, e ka selinë në Hefei, kryeqendra e provincës Anhui, dhe ka një degë në Pekin. Që nga krijimi, laboratori ka kryer kërkime shkencore e teknologjike, duke u fokusuar në projekte të mëdha kombëtare për eksplorimin e hapësirës së thellë.

Laboratori synon të promovojë zhvillimin afatgjatë të eksplorimit të hapësirës së thellë në lidhje me Hënën, planetet, asteroidët dhe skajin e sistemit diellor.

Zhang Kejian, kreu i Administratës Kombëtare të Hapësirës të Kinës, ka theksuar më parë se duhen bërë përpjekje për të ndërtuar një model të ri bashkëpunimi global dhe vendor, për të krijuar një platformë ndërkombëtare  të krijimit të risive dhe për të zgjeruar rrethin e partnerëve të Kinës në eksplorimin e hapësirës. (Çang Çuo)