Hong-Kong, seminar për Ditën e Kushtetutës për të forcuar zbatimin e parimit “Një vend, dy sisteme”
2022-12-06 13:03:15


Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) dhe Zyra Ndërlidhëse e Qeverisë Qendrore Popullore në HKSAR zhvilluan të dielën së bashku një seminar në Ditën e Kushtetutës, për të shtuar njohjen nga publiku të bazës e rendit kushtetues të vendit dhe Hong-Kongut.

Kjo veprimtari u ndoq nga rreth 650 pjesëmarrës prej sektorëve të ndryshëm të shoqërisë. Seminari me temë "Kushtetuta dhe udhëtimi i ri në epokën e re" synonte të eksploronte në mënyrë aktive se si Kushtetuta e Republikës Popullore të Kinës (Kushtetuta) merr një rol më jetik në zhvillimin e parimit "Një vend, dy sisteme" në momentin kyç kur vendi po nis një udhëtim të ri dhe Hong-Kongu ka hyrë në një fazë të re në epokën e re.

Seminari përbëhej nga dy pjesë: një fjalim kryesor dhe një panel diskutimesh. Deng Zhonghua, kryetar i Shoqatës Kineze të Studimeve të Hong-Kongut dhe Makaos, mbajti fjalimin kryesor. Kryeekzekutivi John Lee dhe Luo Huining, drejtor i zyrës së ndërlidhjes të qeverisë qendrore në HKSAR, mbajtën gjithashtu fjalime.

Foto: Kryeekzekutivi i HKSAR-it John Lee duke mbajtur fjalim, 4 dhjetor 2022. /”Chinanews”

Kryeekzekutivi u shpreh se qeveria e HKSAR-it do të forcojë më tej promovimin dhe edukimin mbi Kushtetutën, Ligjin Themelor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (Ligji Themelor) dhe Ligjin e Republikës Popullore të Kinës për Ruajtjen e Sigurisë Kombëtare në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Ndërkohë, Komiteti i Përhershëm i Promovimit të Ligjit Themelor, i drejtuar nga kryesekretari për administratën, është riemërtuar Komiteti i Përhershëm i Promovimit të Kushtetutës dhe Ligjit Themelor, për të vënë në dukje rëndësinë që i kushton qeveria promovimit të Kushtetutës dhe vendosmërinë e saj për të çuar përpara punët përkatëse.

Foto: Luo Huining, drejtor i Zyrës Ndërlidhëse të Qeverisë Qendrore Popullore në HKSAR, mban një videofjalim, 4 dhjetor 2022. /”Chinanews”

Nga ana e tij, Luo Huining theksoi tre gjërat që duhen bërë për ruajtjen e rolit të Kushtetutës në zbatimin e parimit "Një vend, dy sisteme".

Së pari, të gjithë sektorët e Hong-Kongut duhet të respektojnë dhe të ruajnë autoritetin e Kushtetutës. Së dyti, të gjithë sektorët e Hong-Kongut duhet të angazhohen për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit kombëtar si parim themelor. Së treti, Hong-Kongu duhet të promovojë vlerat themelore të atdhetarisë e dashurisë për Hong-Kongun dhe zbatimin e parimit "Një vend, dy sisteme".

Foto: Deng Zhonghua, kryetar i Shoqatës Kineze të Studimeve të Hong-Kongut dhe Makaos, mban një fjalim kryesor, 4 dhjetor 2022. / “Chinanews”

Ndërkohë, Deng Zhonghua tha se Kushtetuta ka status e efekt juridik suprem dhe është një manifestim themelor i "Një vend". Asnjë ligj i miratuar nga organi ligjvënës i HKSAR-it nuk mund të bjerë në kundërshtim me parimet ose frymën e Kushtetutës, theksoi Deng, duke shtuar se një njohje më e mirë e vendit dhe e historisë së tij mund të arrihet nëpërmjet Kushtetutës.

Ai sugjeroi gjithashtu që të rinjtë e Hong-Kongut të ndërmarrin nismën për të lexuar Kushtetutën dhe për të bërë vizita më të shpeshta në pjesën kontinentale, pasi kështu, sipas tij, do të përfitojnë shumë nga "leximi i një libri dhe udhëtimi 10 000 kilometra".

Foto:  Një diskutim në panel gjatë seminarit të Ditës së Kushtetutës së HKSAR-it, 4 dhjetor 2022. / ”Chinanews”

Rita Fan, kryetare e Komitetit Menaxhues të Qendrës për Arsimin, moderoi panelin e diskutimeve mbi rolin jetik të Kushtetutës në rrugëtimin e ri të epokës së re së bashku me Maria Tam, nënkryetare e Komitetit të Ligjit Themelor të HKSAR-it të Komitetit të Përhershëm i Asamblesë Kombëtare Popullore, dhe Simon Lee, anëtar i Këshillit Legjislativ.