Kina kundërshton akuzat e ShBA-së dhe BE-së për “shtrëngimin ekonomik kinez”
2022-12-06 11:06:00

Foto: Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning në një konferencë të rregullt shtypi në Pekin, Kinë, 5 dhjetor 2022. /Ministria e Jashtme kineze

Ministria e Jashtme kineze hodhi poshtë të hënën akuzat nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian se Kina është e angazhuar në "shtrëngim ekonomik."

Zëvendëssekretarja e Shtetit e ShBA-së Wendy Sherman dhe sekretari i përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian Stefano Sannino paralajmëruan për "shtrëngimin ekonomik të vazhdueshëm të Kinës ndaj ekonomisë ndërkombëtare" në takimin e katërt të nivelit të lartë të Dialogut ShBA-BE për Kinën në Uashington.

Në përgjigje ndaj akuzës, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha në një konferencë të rregullt shtypi të hënën se pala kineze kundërshton me forcë ndërhyrjen nga ShBA-ja dhe BE-ja në punët e brendshme të Kinës, si edhe njollosjen e Kinës.

Mao theksoi se Kina ka qenë gjithmonë ndërtuese e paqes botërore, kontribuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar.

Për sa i përket shtrëngimit ekonomik, tha zëdhënësja, ShBA-ja i shtrëngon hapur vendet e tjera të mos përdorin pajisjet e kompanive kineze, duke shpallur “Aktin e mikroçipave dhe shkencës” për të bashkuar aleatët e vet në ngacmimin ekonomik të Kinës dhe zbatimin e shkëputjes dhe ndërprerjes së zinxhirëve të industrisë dhe furnizimit. “Akti i uljes së inflacionit” i ShBA-së i ka detyruar kompanitë evropiane të transferojnë linjat e tyre të prodhimit në ShBA, shtoi ajo.

"Ky është shtrëngim ekonomik i vërtetë," tha zëdhënësja.

Bashkëpunimi ndërmjet ShBA-së dhe BE-së nuk duhet të synojë asnjë palë të tretë dhe Kina nuk duhet të bëhet objekt në këtë çështje, paralajmëroi ajo, duke shtuar se, si dy forca me rëndësi jetike në arenën ndërkombëtare, ShBA-ja dhe BE-ja duhet të marrin përgjegjësinë e tyre për të kontribuuar në stabilitetin dhe lulëzimin botëror.(Artan)