Gjermania nuk do të ndjekë ndalimin e SHBA-së ndaj firmave kineze të teknologjisë
2022-12-05 14:35:38

Foto: VCG

Qeveria gjermane nuk do të ndjekë SHBA-në në ndalimin e përgjithshëm të shitjeve të pajisjeve të reja nga firmat kineze të teknologjisë si “Huawei”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë, njofton “CGTN”.

Vendime të tilla do të merren rast pas rasti, tha zëdhënësi në një konferencë shtypi të qeverisë.

Komisioni Federal i Komunikimeve i SHBA-së lëshoi një ndalim të premten e kaluar për importimin dhe shitjen e pajisjeve të telekomunikacionit të bëra nga pesë kompani kineze, përfshirë “Huawei” dhe “ZTE”, duke pretenduar se ato paraqesin një rrezik të papranueshëm për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Huawei” dhe “ZTE” kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur kufizimet e SHBA dhe kanë mohuar se ato kërcënojnë sigurinë e SHBA-së.

Ministria kineze e Tregtisë premtoi masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze.

Zëdhënësi i ministrisë Shu Jueting tha në një konferencë për shtyp se Kina kundërshton me vendosmëri që SHBA-ja të përgjithësojë konceptin e sigurisë kombëtare dhe të abuzojë me pushtetin shtetëror për të shtypur me keqdashje kompanitë kineze dhe i kërkoi palës amerikane që të korrigjojë menjëherë praktikat e saj të gabuara.

Sipas “Reuters”, kur u pyetën nëse prisnin një shtrëngim të rregullave apo edhe një ndalim në Gjermani apo Bashkimin Evropian, përfaqësues të “Huawei” thanë se kompania mbështetej në dialog konstruktiv dhe të orientuar nga faktet.

“Përdorimi i sigurt i rrjeteve është i pavarur nga vendi i origjinës së ofruesit dhe mund të sigurohet vetëm me anë të standardeve globale në bashkëpunimin ndërkombëtar midis industrisë dhe autoriteteve rregullatore”,- bëri të ditur “Huawei”. (Fatosi)