Rritet numri i turistëve në Kalanë e Rozafës në Shkodër
2022-12-05 14:08:23

 (Foto Atsh)

Kalaja e Rozafës në Shkodër ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh gjatë këtij viti, duke tejkaluar numrat e vitit të kaluar, njofton “ATSH”.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se gjatë periudhës janar-nëntor shifra e vizitorëve arriti në mbi 92 mijë.

Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Përgjatë gjithë kalasë, do të mund të shijohen pamje panoramike të Liqenit të Shkodrës, të lumenjve të qytetit si dhe të maleve të shumta që lartohen ngado.

Në jugperëndim të kalasë, në oborrin e tretë, shikohet lehtësisht pika e takimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna, që teksa gërshetohen së bashku, dhurojnë pamje mahnitëse. (Fatosi)